Opozita e bashkuar shqiptare kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me raundin e dytë presidencial dhe ministrat në qeverinë teknike.
“Kërkojmë që të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare sepse kjo qeveri ka dështuar në premtimin kryesor, që është integrimi evropian, por edhe në të gjitha sferat. Propozimi ynë është që datat e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të jenë 14 dhe 28 prill. Në datën 28 duhet të mbahet së bashku raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, për të respektuar afatet. Sa i përket qeverisë teknike, qëndrimi ynë është që duhet të ketë edhe këtë herë, por kësaj radhe ministrat të jenë të opozitës shqiptare”, tha Izet Mexhiti.
Përndryshe, për takimin e liderëve ka folur edhe kryetari i ASH-së, Arben Taravari i cili ka thënë “OBRM-PDUKM-së nuk e di pse u kujtohet çdo herë dy tre muaj para zgjedhjeve të parashtrojnë kështu pyetje. Kanë mundur ta ngrejnë si çështje para një apo dy viteve dhe mundeshim ta diskutojmë. Por tani tre katër muaj para zgjedhjeve, mua më duket paradoksale dhe tendencioze, mos e them pse. A duhet të kemi kryeministër shqiptar për 100 ditë? Ajo është marrëveshje mes BDI-së dhe LSDM-së, nëse ka një marrëveshje të atillë absolutisht po. Unë mendoj se tendenca e VMRO-së është më shumë të mos ketë kryeministër shqiptar sesa e ka te qeveria teknike. E ka te kryeministri shqiptar!”