Zv. kryeministri Izet Mexhit sot tha se rruga Shkup-Bllacë do të ndërtohet por do të ketë një projekt tjetër, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Rruga Shkup-Bllacë është një aks shumë i përfolur shumë e rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, për shkak se vendi ynë ka suficit vetëm me Kosovën dhe është interes shtetëror që kjo rrugë të ndërtohet”, tha Mexhiti.
Ai tha se fatkeqësisht qeveria e kaluar shumë herë e ka promovuar dhe e ka paralajmëruar se do të ndërtojë shpejtë.
“Fillimisht kemi bërë diagnozë të situatës, para se të arrijmë tek rruga Shkup-Bllacë, është ai aksi që është në hyrje të qytetit deri tek qarkorja, për të cilën janë ndarë tetë milionë euro, por nuk është ndërtuar, prandaj po mendojmë ta merr këtë në përgjegjësi qeveria e RMV-së dhe ta ndërtojë me shpejtësi”, tha Mexhiti.
Ai tha se në 10 kilometrat e rrugës Shkup-Bllacë bëjnë problem pesë kilometra që sipas projektit janë parashikuar ndërtimi i tuneleve dhe akueduktëve dhe për të cilën do të ketë një projekt tjetër.
Ai tha se projekti nuk ka shkuar nga rruga e Lepencit, siç ka shkuar Kosova, por nuk ka shkuar as nga rruga e vjetër, por ka shkuar shumë lartë gjë që e ka rritur çmimin për 24 milionë euro për kilometër dhe e cila nuk mund të ndërtohet brenda 7-8 vjetëve.
Mexhiti tha se po mundohemi që të ulim koston e ndërtimit dhe ta ndërtojmë rrugën për një periudhë më të shkurtër./Telegrafi/