Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka folur për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë në administratën publike.
Ai deklaroi se deri në miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë, ekziston një marrëveshje politike për përfaqësim adekuat të shqiptarëve në punësim.
“Përfaqësimi i drejtë vlen për të gjitha institucionet dhe këtë vit do të ketë një numër të konsiderueshëm punësimesh dhe avancimesh. Mund të them se atë që kanë bërë të tjerët në një mandat, ne do ta realizojmë brenda një viti. Procesi tashmë ka filluar në të gjitha institucionet ku përfaqësimi i shqiptarëve ishte simbolik”, tha Mexhiti.
Lidhur me ligjin, ai shtoi se në mbledhjen përfundimtare pritet të finalizohet forma e Ligjit për përfaqësim adekuat dhe me shumë gjasa do të jetë në kuadër të Agjencisë për Administratë Shtetërore, me kompetenca të zgjeruara për të përfshirë Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
“Sigurisht që do të kërkohet mendim nga Komisioni i Venecias dhe me atë mendim ligji do të hyjë në procedurë parlamentare. Pasi të votohet, nuk do të ketë mundësi as Gjykata Kushtetuese dhe as komisionet tjera që ta anulojnë ligjin”, ka theksuar Mexhiti./Telegrafi/