Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti sot ka zhvilluar takim me përfaqësuesit e Odës së Mjekëve në RMV, ku temë qendrore ka qenë përballja me sfidat e migrimit të mjekëve dhe sfidat me të cilat ballafaqohen mjekët në RMV.
Siç njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë, në këtë takim u theksua se MSH e njeh kontributin e çmuar që japin mjekët në sistemin e kujdesit shëndetësor dhe e kuptojnë rëndësinë e kësaj.
“Prandaj duam të jemi të sigurt që ata të kenë mbështetjen që u nevojitet për të vazhduar të ofrojnë kujdes cilësor. Pyetja mbi çështjen e migrimit të mjekëve është një çështje komplekse dhe ne jemi të përkushtuar të punojmë me Odën e Mjekëve për të gjetur zgjidhje efektive”, tha Mexhiti në takim.
Nga MSH, thonë se gjatë takimit janë diskutuar edhe mënyrat për të shkurtuar procedurat administrative për mjekët, duke e bërë më të lehtë punësimin e tyre.
“Besojmë se nga kjo do të përfitojnë jo vetëm mjekët, por edhe do të përmirësojnë cilësinë e përgjithshme të kujdesit shëndetësor në vendin tonë. Diskutimi ishte produktiv në drejtim të gjetjes së zgjidhjeve nga të cilat do të përfitojnë të gjitha palët e përfshira”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë./Telegrafi/