Site icon Telegrafi

Mexhiti në kolegiumin profesional të Onkologjisë: Terapia është e përshtatshme, nuk ka abuzime me barnat

Sot në mëngjes, në Klinikën Universitare të Radioterapisë dhe Onkologjisë (KURO), ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti mori pjesë në kolegiumin profesional të onkologjisë, e cila mbahet një herë në javë, pra çdo të mërkurë të muajit.

Siç njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë, Mexhiti diskutoi me mjekët për sistemin e vendosur të funksionimit në Klinikë, mënyrën e kontrollit të terapisë, terapinë e duhur dhe në kohë për secilin pacient, si dhe për mekanizmat për eliminimin e çdo abuzimi me terapitë.

“Klinika e Onkologjisë ka prezantuar një mënyrë të re të punës që nga nëntori i vitit të kaluar, ku një konsilium prej 12 drejtuesish të departamenteve, rishikojnë historitë e pacientëve të cilëve u tregohet të aplikojnë terapi biologjike dhe së bashku vendoset nëse ka bazë që pacienti të marrë terapinë e caktuar. Në këtë mënyrë përjashtohet mundësia e abuzimeve të mundshme ose vendimmarrjes individuale në lidhje me terapinë biologjike. Për aplikimin e terapisë së caktuar, ka një procesverbal të rregullt në ditarin ambulator që mbahet në spitalin ditor. Në Klinikë mbahen gjithashtu regjistra elektronikë për të kontrolluar çdo ilaç që hyn në Onkologji. Në regjistrat elektronikë të KURO për çdo ilaç ka një “kartelë artikulli” që përmban të dhënat e mëposhtme: emrin dhe mbiemrin e pacientit, numrin e ekzaminimit të regjistruar, datën e ekzaminimit, datën e aplikimit të ilaçit, sasinë e ilaçit”.

“Në takim, ministri apeloi për angazhim maksimal të mjekëve ndaj pacientëve, duke pasur parasysh zhvillimet që lidhen me Onkologjinë, të cilat edhe pse kanë ndodhur në të kaluarën, gjithsesi shqetësimi i pacientëve dhe familjarëve të tyre është i justifikueshëm. Mjekët në takim kërkuan të mbrohen nga përgjithësimi i përgjegjësisë dhe nga linçimi publik, sepse ata punojnë profesionalisht dhe me përkushtim, gjë që tregon për shumë pacientë të shëruar dhe jetë të shpëtuara”, thuhet në njoftim.

Pas takimit me kolegiumin profesional, ministri Mexhiti në Klinikë pati takim me disa pacientë me të cilët bisedoi se nuk duhet të dyshojnë në cilësinë e terapisë dhe profesionalizmin e mjekëve të Onkologjisë./Telegrafi/

 

Exit mobile version