Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti paralajmëroi sot punësimin e qindra apo mijëra shqiptarëve, informon Telegrafi Maqedoni.
Kjo deklaratë u demantua menjëherë nga ministri i Administratës, Goran Minçev, i cili tha se punësimet bëhen sipas nevojës e jo me përkatësi etnike, teksa sjelljen e Mexhitin e vlerësoi si “Liza në botën e çudirave”.
Deklarata e Minçevit nxiti sërish reagimin e Mexhitit, ndaj ky i fundit i ka bërë thirrje Minçevit të mos përdorë retorikën e kreut të së Majtës, Dimitar Apasiev.
Reagimi i plotë:
Minçev të mos sillet si një kopje e Apasievit, sepse nuk i ngjajnë aspak njëri-tjetrit.
Goran Minçev duhet ta braktisë retorikën e Dimitar Apasievit dhe të sillet si ministër i të gjithë qytetarëve në vendin tonë të përbashkët.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të bëjë transformimin e marrëdhënies së punës nga kontratë në vepër në punësim të përhershëm për rreth 1500 të punësuar në shëndetësi, nga të cilët 750 janë shqiptarë. Për këtë jemi krenarë.
Përfaqësimi adekuat i shqiptarëve në institucionet shtetërore është kategori kushtetuese, e pandryshueshme, e pakthyeshme, që respektohet dhe do të respektohet, i pëlqen kjo Minçevit ose jo! /Telegrafi/