Site icon Telegrafi

Mexhiti: Kjo situatë me bisedat informative dëshmon se nuk kemi gabuar me vendosjen e emrit të Adem Demaçit

Lideri i Lëvizjes Demorkatike, Izet Mexhiti ka dalë në mbrojtje të kryetarit të Çairit, Visar Ganiu dhe kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami të cilët sot u ftuan në bisedë informative nga Policia dhe nga MPB-ja njoftuan se kanë nisur procedurë kundërvajtëse ndaj të njëjtëve.

Mexhiti thotë se ky veprim i policisë së Maqedonisë së Veriut, tregon se akoma konsumohen recidivat e së kaluarës, “por kësaj radhe edhe nga ana e disa shqiptarëve”.

“Kryetari i Çairit, Visar Ganiu dhe ai i Tetovës, Bilall Kasami, u ftuan nga ana e policisë në biseda informative, kurse arsyeja e vetme paska qenë qëndrimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Shkup e Tetovë. Kjo metodë staliniste me biseda informative, të cilën, në kohën e Jugosllavisë komuniste, më së shumti e kanë ndjerë shqiptarët, tregon se midis nesh akoma konsumohen recidivat e së kaluarës, por kësaj radhe edhe nga ana e disa shqiptarëve, të cilët pushtetin e kanë kuptuar si bahçe të babës.

E gjithë kjo u bë nën ndikimin dhe presionin e politikës antishqiptare serbe, së cilës Albin Kurti i është bërë halë në sy. Gjithsesi, kjo situatë dëshmon se nuk kemi gabuar me vendosjen e emrit të Adem Demaçit në një prej rrugëve të kryeqytetit, sepse sot më shumë se gjithmonë kemi nevojë për frymën e tij të rezistencës”, thuhet në reagimin e Mexhitit.

Exit mobile version