Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, sot në konferencë për shtyp ka njoftuar se pacientët me fibrozë cistike e kanë marrë ilaçin “Trikafta” dhe sipas tij, është zgjidhur problemi më i madh i këtyre qytetarëve.
“Pacientët janë fokusi i punës sonë dhe ne vazhdojmë përpjekjet tona në këtë drejtim. Në bashkëpunim me kryeministrin po punojmë për gjetjen e një zgjidhjeje për pjesën tjetër të të prekurve nga kjo sëmundje”, tha Mexhiti.
Ndërsa mjeku Stojka Fushtiq, specialist për fibrozën cistike, tha se në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve ka 6 pacientë dhe të njëjtit kanë filluar të marrin terapi. Ajo tha se dy pacientët që janë në gjendje më të rëndë do të mjekohen në Klinikën për Pulmologji.
“Presim të fillojmë terapinë këto ditë, për disa nga nesër presim efekt pozitiv nga terapia në drejtim të përmirësimit të funksionit të mushkërive, përmirësimit të cilësisë së jetës, gjendjes ushqyese, uljes së shpeshtësisë së shtrimeve në spital dhe sigurisht një jete më aktive”, tha mjekja Fushtiq.
Ajo shtoi se 7 pacientë janë të rritur mbi 18 vjeç dhe njëri është fëmijë./Telegrafi/