Deputeti nga radhët e BDI-së, Izet Mexhiti dhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu njofton se pas bisedimeve intensive me Behgjet Pacollin dhe ekipin e tij është arritur marrëveshja për investim strategjik në Çair në vlerë prej 50 milionë eurove.
“Investim Strategjik prej 50 milionë eurove në Çair. Sapo përfunduam takimin miqësor me Behgjet Pacollin dhe ekipin e tij me lajme shumë pozitive për Komunën e Çairit. Pas bisedimeve intensive në periudhën e kaluar arritëm marrëveshje për investim strategjik në Çair në vlerë prej 50 milionë eurove”, shkruan Mexhiti.
Sipas tij, ky investim parasheh ndërtimin e 12 garazheve me kate dhe mbi 3.000 vende parkimi.
“Kjo përgjithmonë do ta zgjidh problemin kryesor të Çairit. Legjislacioni i RMV-së parashikon shpalljen e këtyre investimeve strategjike me ligj të posaçëm”, thotë Mexhiti.
Edhe kryetari Visar Ganiu tha se do të ketë investim strategjik prej 50 milionë eurove në Çair, ndërsa firma MABETEX e Pacollit do të ndërtoje garazhet nëntoksore dhe në kate./Telegrafi/