Telegrafi

Mexhiti – Aggeler: Çështja e legjitimitetit të qeverisë së re është e mbyllur

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti në takimin me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Aggeler ka bërë të ditur se ka biseduar edhe për çështjen e legjitimitetit të Qeverisë së re.

Në njoftimin nga kabineti i Mexhitit, thuhet se palët në takim kanë rënë dakord se legjitimiteti i Qeverisë së re, është çështje e mbyllur.

“Të dyja palët u dakorduan se çështja e legjitimitetit politik të Qeverisë së re është çështje e mbyllur. Periudha e ardhshme do të përdoret për të realizuar një tranzicion të suksesshëm dhe për të konsoliduar institucionet në vend. Në këtë proces, mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë, në radhë të parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është jashtëzakonisht e rëndësishme”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Nga pozita e ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti, e informoi ambasadoren Ageler me prioritetet kyçe të Ministrisë në drejtim të luftës pa kompromis me ndotësit e ajrit ambiental, në përputhje me standardet më të larta evropiane dhe në kuadër të planit për ajër të pastër. Ai shprehu besimin se bashkërisht do t’i përkushtohemi ndërtimit të burimeve të rinovueshme të energjisë që do të sigurojnë standarde më të larta ekologjike dhe se ne si një shtet i ri, kemi nevojë për përvoja të mira dhe ndarjen dhe shkëmbim njohurish dhe se mbështetja dhe ndihma nga SHBA-ja në përpjekjet tona për përmirësimin e politikave shtetërore për të sigurimin e një mjedisi të shëndetshëm është më se e mirëpritur”, thuhet në njoftim./Telegrafi/