Site icon Telegrafi

Metropoli – bardhë e zi

Teksa pres furgonin e linjës 4 për të shkuar në shkollë, zhurma e automjeteve të shumta është e tmerrshme në orët e mëngjesit. Për të ikur në shkollë më duhet të pres furgonin ilegal, sepse po të pres autobusin e trafikut urban që funksionon në kuadër të komunës së Prishtinës, duhen së paku 40 min, më keq se 40 minutat e pritjes është se ndonjëherë punonjësit e këtij të fundit hyjnë në grevë pa asnjë paralajmërim, që për nxënësit dhe punëtorët shkakton vonesa në shkollë, e në vende pune ku ata punojnë. Ky është vetëm njeri nga problemet e shumta që kryeqendra e shtetit më të ri në Evropë ka.

Qysh në hyrje të qyteti, vërehet dominimi i mbeturinave, ndërsa po të jesh me veturë gropat ta prishin komoditetin e udhëtimit, dikur kishte dy lumenj të cilët bashkë me malin e Gërmis e bënin ajrin e Prishtinës një prej me të pastrit në rajon.

Po tani me çka mund të krenohet Prishtina?

Me Hotel Unionin për të cilin dikur u morr vendim që të rrënohej dikur, pastaj u tha që u dogj e nuk u dënua askush, e tani po bëhen disa muaj që ka filluar të restaurohet, e që nuk mund ta dallosh nga një gërmadhë e rëndomtë, apo të krenohet me granitin, material me të cilin u shtrua sheshi jonë, e që kushtojë miliona euro nga taksat e qytetarëve, që çdo javë e shohim duke u renovuar.

Aty te sheshi ku në një qoshe të tij qëndron përkulur statuja e Nënës Terezë, e rrethuar herë me ujë e në mungesë të ujit dalin në pah gjësendet e hedhura nga qytetarët e pandërgjegjshëm.

Rrethojat e Kuvendit i paraprijnë, statujës se Skënderbeut qe duket si i varrosur në një gropë, e në mes të asaj grope duket sikur e humbet madhështinë e tij.

Një fenomen tjetër janë shitësit e telefonave që shëmtojnë pamjen me pakot e tyre qysh ne hyrje të qendrës, në vazhdimësi të sheshit sheh shitës ambulant që bezdisin qytetarët kalimtar me “ofertat” e tyre, ky është sheshi kontraverz i Prishtinës sonë të dashur, aty ku në mes të sheshit gjen libra, kioska, shitës farash, lëmoshekërkues, besa-besa edhe xhepa vjedhës, aty ku në kohë e pa kohe organizohet koncerte, protesta, e panaire. Është e dhimbshme ta shohësh një Prishtinë të tillë!

Një Prishtinë që nuk dihet ku fillon e ku mbaron, ku trotuaret shndërrohen në parking makinash, biblioteka që ngjajnë me bodrume shtëpish. Ne këtë kryeqendër ku mungon salla e operës, ku mbizotërojnë bastoret sportive. Ky është vendi që pa të drejtë po e titullojmë Metropol.

Vera është sitna më dashur për të rinjtë, jo vetëm pse kushtet klimatike të krijojnë një komoditet lehtësie e gjallërie, por edhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë vendit “shkarkohen” këtu, festojmë, kënaqemi e plotësojmë minutat që s’jemi parë me muaj. Mirëpo vendet për argëtim mungojnë, rregullorja për funksionimin e lokaleve të natës (Disco, Pub-e, Klube të ndryshme) nuk kanë licencë edhe pse disa prej tyre i plotësojnë kriteret e parapara me rregulloren ne fjalë. Kjo gjë po e ngulfat jetën e natës dhe të rinjve po ju mungon hapësira për argëtim, në këtë vere që lamë pas dhe vëren para saj, ka pas ndërhyrje edhe të policisë se njësitit special (për hir të vërtetës teksa shihje ato ndërhyrje te ngjanin me aksionet ushtarake të paramilitarëve serbë në shtëpitë shqiptare) A e meritojnë mërgimtarët këtë dhuratë për pushime?

Ku është gjallëria dhe fryma rinore qe dikur e karakterizonte Prishtinën?
Ku janë vizitorët e teatrit?
Ku janë sallat sportive të mbushura plotë me tifoz?
Ku janë aktivitetet kulturore për fëmijët?

Si përfundim Prishtinës po i këndohet, nëse jo si më herët, kur Sabri Fejzullahu këndonte “Pranverë në Prishtinë”, apo Gili përmes vargjeve tregonte për puthjen e parë në Ulpianë, tani është Eliza Hoxha që i këndon homazh Prishtinës. Me këtë homazh të Elizës do ta përmbyllja shkrimin tim, i cili nuk ka prapavijë politike, është thjeshtë një shkrim që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, me të cilët i ndajmë hapësirat e qytetit tonë të dashur e të cilat po ngushtohen dita ditës.

Exit mobile version