Metodat e kërkimit mbi përvetësimin e shqipes janë pjesë e punës hulumtuese të studiuesve të gjuhës dhe të letërsisë. Hartimi i librave që ndihmojnë të huajt për mësimin e shqipes ka qenë një proces i vazhdueshëm, veçanërisht në katedrën e gjuhës shqipe. Së fundmi, një tjetër metodë i është shtuar tregut të librit. “Metoda ‘Shqip.al’” është botim i Departamentit të gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës, i cili është i vetmi institucion zyrtar i njohur nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit për certifikimin e njohjes së gjuhës shqipe.
Kjo metodë është fryt i një përvoje të gjatë mësimdhënieje në lektoratet e gjuhës shqipe në universitete jashtë Shqipërisë, në kursin njëvjeçar dhe në shkollën verore që zhvillohen pranë këtij departamenti të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Për mësimin e gjuhës shqipe ka metoda të ndryshme nga autorë shqiptarë dhe të huaj, por, sipas autoreve, kjo metodë është e para e hartuar sipas standardeve të Kuadrit të Përbashkët Evropian të Referencave për Gjuhët (CEFR).
Autoret vënë në dukje se certifikimi i njohurive të marra në këtë metodë është i vlefshëm për vijimin e studimeve në universitetet shqiptare, për njohjen e gjuhës shqipe në kurrikula universitare të institucioneve të ndryshme jashtë Shqipërisë ku përfshihet si lëndë, si edhe për mundësi të reja punësimi, në të cilat është e nevojshme njohja e gjuhës shqipe, bazuar në kriteret ligjore të vendeve të BE-së etj.
Seti i librave të metodës përfshin 12 libra gjithsej, nga të cilët gjashtë janë libra mësimesh (niveli A1, A2, B1, B2, C1, C2) të formatit A4 dhe me ngjyra; gjashtë janë libra ushtrimesh (niveli A1, A2, B1, B2, C1, C2) të formatit A4 bardhezi. Pra secili prej gjashtë niveleve ka një libër mësimesh dhe një libër ushtrimesh.
Libri i mësimeve për secilin nivel ka 24 tema mësimore, të cilat përmbajnë rubrikat: Të lexuarit dhe të kuptuarit; Të folurit; Të shkruarit; Njohuri gramatikore, të shoqëruara me ushtrimet përkatëse. Në fund të 24 temave të secilit libër është një përsëritje e përgjithshme që përfshin njohuri të ndryshme nga gjitha temat mësimore të librit përkatës. Secili libër ushtrimesh ka gjithashtu 24 tema mësimore, të lidhura përkatësisht me temat e librave të mësimeve.
Çdo temë mësimore ka tekste dhe ushtrime të karakterit praktik. Pas çdo tre temave mësimore, ka një përsëritje (8 përsëritje në një libër) që përmban ushtrime nga tri temat paraardhëse. Hartuesit e tjerë të kësaj metode janë: prof. dr. Aljula Jubani, prof. dr. Mimoza Gjokutaj, prof. dr. Mimoza Kore, prof. as. dr. Anila Çepani, prof. as. dr. Kledi Shegani, prof. as. dr. Rozana Rushiti, prof. as. dr. Adelina Çerpja, doc. dr. Albana Deda, dr. Elsa Rakipllari dhe dr. Maklena Çabej