Ata mund të duken paksa të ashpër në pamje, por grupi i njohur amerikan, Metallica, e dëshmuan edhe këtë herë se janë shumë zemërgjerë.
Rokerët janë të fundit që iu bashkuan të famshmëve tjerë për të mbështetur Australinë pas dëmeve të shkaktuara nga zjarri.
Banda e njohur njoftoi se ata po dhurojnë 750,000 dollarë për Shërbimin e Zjarrit Rural të NSW dhe Autoritetin e Zjarrit të Vendit në Victoria përmes fondacionit të tyre bamirës.
“Ne jemi tërësisht të mërzitur nga lajmet për zjarret që kanë përfshirë miliona hektarë në të gjithë Australinë, me ndikim të madh në New South Wales dhe Victoria. Shkatërrimi dhe efektet shkatërruese që vijnë për të gjithë banorët, kafshët, mjedisin dhe tokën e jashtëzakonshme në Australi janë vërtet zemërthyese”, ka thënë grupi mes të tjerash në shkrimin e tyre në llogarinë zyrtare Instagram.
Ata po ashtu i kanë inkurajuar fansat e tyre që të angazhohen për t’i ndihmuar njerëzit e prekur nga kjo fatkeqësi.
Sipas raportimeve, gati 2,000 shtëpi janë shkatërruar nga zjarret në Australi, që kanë përfshirë këtë vend tash e sa muaj.
Ndërsa, së paku 25 njerëz kanë vdekur dhe miliona kafshë kanë ngordhur prejse kanë nisur zjarret në muajin shtator. /Telegrafi/