Gjatë vizitës së tij në Washington D.C. në SHBA, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta mori pjesë sot në Forumin “Transatlantic Leadership Network” të organizuar në Kongresin Amerikan me temë: “Ballkani Perëndimor: Si të kapërcehen pengesat në rrugën drejt Bashkimit Evropian”.
Presidenti Meta gjatë fjalës së tij, theksoi se, “politikat e hartuara evropiane për Ballkanin Perëndimor duhet të forcojnë sigurinë, institucionet dhe ekonomitë tona; duhet të jenë të zbatueshme, transparente dhe të synojnë rritjen e besimit të qytetarëve; plotësisht të përafruara me vlerat dhe standardet evropiane”.
“Bashkimi Evropian nuk duhet të gabojë që të bëjë kompromise në këtë orientim; përkundrazi duhet të ruajë përqendrimin e vet te çështjet thelbësore të proceseve tona përkatëse. Ndryshimi i vetëm i kufijve, për të cilin duhet të punojmë ditë e natë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit evropian në Ballkanin Perëndimor!”, u shpreh Meta. /Telegrafi/