Telegrafi

Meta uron Xhaferin: Shqiptarët, faktor shtetformues të orientuar nga BE dhe NATO

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar Talat Xhaferin, i cili nga sot do të jetë kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut.

Meta shprehet se ka besim të plotë në lidershipin e Xhaferit, transmeton Telegrafi.

“Urimet më të përzemërta dhe shumë suksese Qeverisë së re teknike të Maqedonisë së Veriut dhe Kryeministrit të saj, Talat Xhaferi. Besimplotë se me lidershipin e tij dhe angazhimin e dëshmuar gjithpërfshirës dhe bashkëpunues, pa dallim etnik dhe politik, Qeveria e re do të hedhë hapa të rëndësishëm në konsolidimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, në funksion të perspektivës së integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian”, ka pohuar Meta në postimin e tij në Facebook.

Lexo po ashtu Liderët politikë urojnë Talat Xhaferin, e quajnë ditë historike për shqiptarët

Tutje, ai ka shtuar se “Shqiptarët, si faktor shtetformues, të orientuar qartë nga BE dhe NATO, kanë një rol kyç për harmoninë ndëretnike, stabilitetin dhe ardhmërinë europiane të Maqedonisë së Veriut”./Telegrafi/