Site icon Telegrafi

​Meta uron shqiptarët: Të bashkuar të tejkalojmë sfidat që kemi përpara

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta uroi të gjithë shqiptarët me urimet më të përzemërta për një Vit të Ri, që siç tha ai, do ta shohë Shqipërinë më demokratike dhe më të drejtë, më të bashkuar e më të fortë, por edhe shqiptarët më të shëndetshëm dhe më të begatë.

“Të gjithë së bashku, të mobilizojmë fuqitë dhe energjitë më pozitive të kombit tonë, por edhe mendjet më të ndritura për të tejkaluar sfidat e mëdha që kemi përpara. Të mos i dorëzohemi indiferencës, përjashtimit dhe zemërimit. Të mos lejojmë që e vërteta të përmbytet nga gjepurat, pasiviteti dhe nënshtrimi. Me shpresë, besim, punë, këmbëngulje, përfshirje dhe dashuri ne mund të arrijmë gjithçka”, deklaroi Meta.

Meta uroi që në vitin 2022, që shënon edhe 30-vjetorin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, të bëhet një hap i ri drejt anëtarësimit të shtetit shqiptar në BE.

“Në maj të vitit 1992, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që niste një marrëdhënie të re kontraktuale me Bashkimin Evropian. Ndaj uroj që 30 vite më pas, më në fund të shënojmë një hap të ri në procesin tonë të vonuar të anëtarësimit drejt Bashkimi Evropian, përmes një përfshirjeje dhe aktivizmi më të madh qytetar për realizimin e kësaj aspirate strategjike”, vijoi Meta.

Presidenti i Shqipërisë ftoi për mbrojtje të vlerave kombëtare dhe respektim të të drejtave të njeriut, ndërsa pati thirrje edhe për përkushtim më të madh për të rinjtë në mënyrë që të ardhmen e tyre ta dnërtojnë në Shqipëri.

“Të mbrojmë vlerat tona kombëtare, të respektojmë liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, t’u përkushtohemi të rinjve tanë për t’u ofruar atyre çdo mundësi që ta ndërtojnë të ardhmen evropiane këtu, në Atdheun e tyre. Shqipëria evropiane që duam të gjithë, stoliset edhe më shumë, kur bukuritë e saj natyrore pasurohen me bukuritë e punës dhe vitalitetit të popullit tonë e në radhë të parë, të të rinjve tanë”, përfundoi Meta.

Exit mobile version