Nga qyteti i Durrësit, ku vendosi lule tek monumenti i heroit Mujio Ulqinaku, me rastin e 80-vjetorit të nisjes së rezistencës antifashiste, presidenti Ilir Meta bëri një deklaratë të fortë lidhur me situatën politike.
Ai tha se beson vetëm te dialogu dhe vetëm te zgjidhja politike përmes një dialogu të përgjegjshëm dhe real, për të rivendosur normalitetin e plotë kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit.
“Që pas vitit 1997 vendi ka bërë përparime të rëndësishme, ndaj nxis dhe inkurajoj gjithë politikanët e përgjegjshëm kudo që ndodhen në mazhorancë apo në opozitë që të tregojnë se në këto 22 vjet Shqipëria jo vetëm ka bërë përparime, por nuk mund të shkojnë dëm për shkak të demonstrimit të forcës përmes mitingjeve dhe antimitingjeve, aq më tepër që jemi në prag të sezonit turistik”, u shpreh Meta.
Ai shtoi se ka besim se ka hapësirë të gjerë, për gjetjen e zgjidhjeve të duhura.
Sipas tij, është detyrë e palëve politike që të tregojnë vullnet real për dialog dhe të heqin dorë nga përdorimi i forcës, por të udhëhiqen vetëm nga arsyeja dhe interesi i përbashkët. /NOA/Telegrafi/