Telegrafi

Meta takon Berishën: Protestat, rrugë e domosdoshme që shoqëria të reagojë

Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë, ka zhvilluar këtë të martë një takim me Sali Berishën. Ai u shpreh se takimi ishte shumë i frytshëm me kreun e Partisë Demokratike, siç Meta e quajti.

Ilir Meta u shpreh se është diskutuar edhe për protestat duke thënë se ajo është një “rrugë e domosdoshme që shoqëria të shprehë edhe ndjeshmërinë e saj për këtë situatë korrupsioni dhe kapjen e shtetit”, por nuk dha një datë konkrete.

“Ju e dini se ne kemi qenë gjithmonë për mbështetjen e protestave, jo vetëm me nismën e PD. Edhe rruga e protestave është një rrugë e domosdoshme që shoqëria të shprehë edhe ndjeshmërinë e saj për këtë situatë korrupsioni dhe kapjen e shtetit. Kjo do të vijë si pasojë e përshkallëzimit të luftës kundër korrupsionit, vazhdimi pa ndërprerje i angazhimit tonë për të denoncuar aferën e djegësve dhe vendosjen e përgjegjësve kryesorë para drejtësisë”, tha Meta.

Por a është Ilir Meta i shqetësuar për një thirrje në SPAK?

“Nuk do të ketë asnjë lloj shqetësimi për Ilir Metën në raport me drejtësinë. Problemi dhe shqetësimi im kryesor është që paratë e qytetarëve digjen nga korrupsioni. Kreu i aferës së djegësve është kryeministri. Mos kini asnjë shqetësim veç shqetësimit që të mbrohen paratë e shqiptarëve”./A2 CNN