Site icon Telegrafi

Meta takim me kryeministrin e Maltës: Shqipëria, portë hyrëse në Ballkan për bizneset

Presidenti Ilir Meta është takuar me Kryeministrin e Maltës, Joseph Muscat, gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në këtë shtet. Presidenti Meta dhe Kryeministri Muscat vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve në këtë përvjetor të 45-të dhe nënvizuan mundësitë për t’i intensifikuar më tej ato, veçanërisht në fushat ekonomike dhe kulturore.

Presidenti Meta theksoi se Malta mbetet një mbështetëse e fortë e perspektivës evropiane të Shqipërisë, duke shprehur besimin se përkrahja e saj nuk do të mungojë dhe procesin e rëndësishëm e të shumëpritur të çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Presidenti Meta shprehu interesin për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, duke nisur sa më shpejt me krijimin e Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik, me fokus sektorët si turizmi, energjetika, infrastruktura, sektori financiar, teknologjia e informacionit, industria detare dhe logjistika portuale etj.

Kreu i shtetit shqiptar ftoi gjithashtu kompanitë malteze të eksplorojnë potencialet investuese të Shqipërisë, e cila mund të shërbejë edhe si një portë hyrëse për zgjerimin e biznesit së tyre në rajonin e Ballkanit.

Gjithashtu, Presidenti Meta dhe Kryeministri Muscat ndanë të njëjtin qëndrim që Shqipëria dhe Malta kanë potencial bashkëpunimi edhe në projekte të përbashkëta në kuadër të programit transnacional të BE-së Mediterranean 2014-2020, në fushën e inovacionit, turizmit, mjedisit, transportit detar. /Telegrafi/

Exit mobile version