Site icon Telegrafi

Meta i shqetësuar për përshkallëzimin e pandemisë: Duhet organizim më i fortë nga Qeveria

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta i ka kërkuar qeverisë të veprojë nisur nga situata sipas tij, e përshkallëzuar e pandemisë COVID-19.

Sipas kreu të shtetit, rastet e shtuara të humbjeve së jetëve, si dhe të qytetarëve të infektuar, përbëjnë një preokupacion madhor.

Ai i kërkon qeverisë një organizim më të fortë në mënyrë që pacientët të mos marrin shërbim në ambulanca, duke mobilizuar e organizuar të gjitha resurset njerëzore.

“Kërkohet një organizim i fortë, që u jep përgjigje të menjëhershme problemeve të shumta dhe shpesh të dhimbshme të qytetarëve lidhur me COVID-19.

Çdo ankesë e qytetarëve, duhet trajtuar me përgjegjësi maksimale dhe në mënyrë urgjente, pasi çdo vonesë rrezikon jetë dhe kjo është e papranueshme.

Qeveria duhet të bëjë maksimumin në këtë luftë me pandeminë, duke mos kursyer financimet e nevojshme dhe mobilizimin e organizuar të të gjitha resurseve njerëzore për përballimin e saj.

COVID-19 është një armik i rrezikshëm dhe duhet trajtuar si i tillë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së çdo qytetari”, shkruan kreu i shtetit përmes një postimi në faqen e vet në Facebook.

Exit mobile version