Investimi më i madh për shoqërinë është shkollimi dhe edukimi i rinisë, është shprehur kreu i shtetit Ilir Meta në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Diskriminimit Racor.
Ai ka takuar një grup studentësh të nivelit Bachelor e Master të komunitetit rom dhe egjiptian.
“Duhet të jemi më të përgjegjshëm dhe më humanë, për të pasur një shoqëri më të bashkuar për sfidat që na presin. E ardhmja e vendit varet edhe nga rinia e familjeve të thjeshta të shoqërisë që kanë aspirata të mëdha. Investimi më i madh për shoqërinë është shkollimi dhe edukimi i duhur i rinisë”, tha Meta.
Kemi nevojë për një shoqëri të drejtë, pa asnjë lloj paragjykimi etnik, fetar e kulturor, u shpreh më tej presidenti.
“Çdo njeri ka të drejtën për barazi dhe jodiskriminim si gurë themeli të të drejtave të njeriut. Detyrë e të gjithëve të promovojmë tolerancën, gjithëpërfshirjen dhe respektin ndaj çdo njeriu pavarësisht komunitetit qe i përket. Kënaqësi të shikoj midis jush inxhinierë, mjekë, infermierë, psikologë, arkitektë apo ekonomistë të ardhshëm të vendit”, tha presidenti Meta. /Telegrafi/