Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, është shprehur i shqetësuar me ikjen e të rinjve nga vendit i tij, por edhe nga Kosova. Prandaj, sipas tij, duhet një reflektim i përgjithshëm, për të ushqyer dashurinë ndaj atdheut te të rinjtë, ngase siç thotë ai është rrezik asimilimi nga liria e tepërt.
“Shqetësimi im është të punojmë për të mbajtur të rinjtë kjo është sfida jonë më e madhe. Në një kishe katolike dëgjova se rreziku me i madh i asimilimit vije nga liria e tepruar. Tu krijojmë mundësi të rinjve tanë të investojmë më shumë për dijen e tyre me dashurinë për atdheun”.
“… globalizmi ka aspekte pozitive që mund të përfitojmë, por një kërcenim për kombet që s’janë të vëmendshme dhe mund të dëmtohen nga ky proces. Jemi në kohen e duhur për të pasur një reflektim më të thellë”, tha Meta në akademinë në solemne “Faleminderit Shqipëri” në përkujtim të 21-vjetorit mikpritjes së Shqipërisë gjatë eksodit të popullit të Kosovës në vitin 1999.
Meta tha se çdo 28 Nëntor kujtojnë edhe kontributin e patriotëve nga Kosova për pavarësinë e Shqipërisë.
“Ne në Shqipëri në çdo 28 Nëntor festojmë jo vetëm duke u përkulur para Ismail Qemajlit dhe të gjithë atyre personaliteteve që ngritën flamurin në Vlorë, por në mënyrë të veçantë nderojmë edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Isa Boletinit dhe gjithë atyre personaliteteve të Kosovës të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për të krijuar shtetin shqiptar edhe pse gjysma e territoreve tona mbeti jashtë tij edhe pse Kosova u sakrifikua padrejtësisht”, tha ai, përcjell Ekonomia Online.
“Por Zoti është i madh dhe besimi nuk duhet humbur asnjëherë dhe prandaj jemi të lumtur të kujtojmë vitin 1999, një vit jashtëzakonisht i vështirë për kombin tonë”.
“Kishte filluar një lindje e vështirë që do të zgjaste deri në çlirimin e Kosovës, një lindje mjaftë e përgjakshme me vuajtje të pafundme, por falë Zotit dhe mbi të gjitha falë atij mobilizimi të jashtëzakonshëm të kombit tonë dhe të atij solidariteti heroik të treguar nga të gjithë shqiptarët e thjeshtë, ne arritëm që ta kalojmë me sukses të jashtëzakonshëm atë provë që ndodhë shumë rrallë në historinë e një kombi”.
Meta tha se Shqipëria e kishte për detyrë që ta përballonte atë krizë të jashtëzakonshme humanitare që vinte prej gjenocidit të Sllovodan Millosheviqit.
“20 vjet kanë kaluar dhe vërtetë jemi shumë më mirë sesa kemi qenë. Por, që nuk jemi aq të lumtur sa do të donim të ishim. Duhet të jeni më të vëmendshëm për të ardhmen në mënyrë që të mos mobilizohemi dhe të vëmë në lëvizje virtytet tona vetëm në kohë krizash, por të punojmë vazhdimisht në mënyrë të përgjegjshme”.
Ish-kryeministri shqiptar, Pandeli Majko, kërkoi që shqiptarët e Kosovës mos ta falënderojnë shumë.
Ai tha se e bëri detyrën e tij si shumë shqiptarë që u vetëpërkufizuan.
“Falënderimi në emër të një gjëje që Shqipëria e ka bërë dhe të dalësh dhe të flasësh si i falënderuar është e vështirë. Në atë periudhë që kemi qenë kemi bërë detyrën tonë. Ka pasë disa të tjerë që këtu në Kosovë pa pasë ndonjë lloj detyre zyrtare e institucionale kanë luftuar për lirinë e kombit shqiptar”.
“Në thelb liria e Kosovës ishte edhe e shqiptarëve. Në këtë kontekst, mendoj se ajo që ndodhi në vitin 1999 dhe këtë e them për ata që janë 20 vjeç, rëndom njerëzit përkufizohen në ditët e tyre të vështira dhe shumë shqiptarë janë vetëpërkufizuar në atë kohë”.
Majko përmendi sakrificat e secilit prej liderëve kosovarë që ishin të pranishëm.
“Kam përballë presidentin e Kosovës, si përfaqësuesi i delegacionit të Kosovës dhe aspiratave të saj. Kokëfortë si ai, pavarësisht se sot flet shumë për dialogun. Kam përballë kryeministrin e Kosovës, luftëtar si ai. Nuk besoj se kur mbante trupin e vëllait e mendonte se do të bëhej kryeministër. Kam përballë Albin Kurtin. Nuk besoj se në burgun e Serbisë atë kohë mendonte se do të vinte një ditë që do të përfaqësonte një forcë politike të re dhe do të ishte kandidat për kryeministër”.
“Nuk kemi këtu Ibrahim Rugovën dhe shumë të tjerë, të cilët bënë detyrën e tyre. Kështu që mendoj se ne kemi bërë veç detyrën tonë. Jemi një, por ndihemi edhe keq kur na falënderoni sepse ne jemi vëllezër. Dhe vëllai edhe falënderohet edhe nuk falënderohet. A të mërzit ndonjëherë vëllai? Të mërzit dhe si thoni ju në Kosovë, kur ta sjellë në maje të hundës vëllau si shkau”.
“Së bashku me Ilir Metën dhe shumë kolegë të tjerë, midis të cilëve edhe kryeministri Edi Rama mblidheshim, por a ishim kaq të bindur dhe të fortë? Ju siguroj që ishim edhe të frikësuar dhe të shqetësuar, na shkonte mendja se do ta na kujtohet emri për keq”.
“Në ato momente të vështira të gjithë shqiptarët u bëmë një, të majtë e të djathtë, komunistë e ilegalistë. Me Sali Berishën ishim gati të vriteshim, por pas masakrës së Reçakut u mblodhëm dhe thamë kur serbët na vrasin ne duhet të bashkohemi”, tha Majko.
Kjo akademi organizohet në shenjë falënderimi shqiptarëve dhe Shqipërisë, për mikpritjen e ofruar dhe dashurinë vëllazërore që kemi përjetuar në momentet më të vështira të historisë së re të Kosovës.