Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka marrë pjesë në sesionin e dytë të Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të BE-së në Luksemburg. Duke folur gjatë sesionit të dytë të Konferencës së kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të BE-së në Luksemburg me temë “Forcimi i Bashkimit Europian”, Meta tha se në 25 vitet e fundit, shpresat e Shqipërisë, dikur vendi më i izoluar i kontinentit, janë mbajtur lart falë perspektivës së integrimit europian.
Meta u shpreh para homologëve të tij se hyrja e Shqipërisë në BE do të garantojë të gjitha parametrat e duhura për një shoqëri tërësisht demokratike dhe të zhvilluar.
“Duke pasur parasysh këtë, në rastet kur vendet si i yni janë dëshmitarë të lëkundjes së vlerave europiane në mes të shteteve anëtare, e ardhmja nuk duket shumë inkurajuese. Dhe, për fat të keq, këto muajt e fundit duket se gjërat nuk kanë shkuar më mirë për të gjithë hapësirën europiane”, tha Meta.
Duke folur për zhvillimet në Shqipëri, kreu i Kuvendit tha se perspektiva europiane është vendimtare për forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin social, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë rajonin, ashtu siç ka qenë rasti për vendet anëtare të BE-së gjatë 60 viteve të fundit.
“Si pjesë e përpjekjeve tona për integrimin europian, në vitin 2013, ne miratuam një ndarje të re territoriale dhe administrative të vendit – duke ulur ndjeshëm numrin e njësive tona vendore për të përmirësuar efikasitetin e shërbimeve vendore. Së fundmi, në Parlament kemi miratuar një paketë legjislative revolucionare për integritetin e zyrtarëve publikë, që pritet të rrisë integritetin e zyrtarëve publikë, të rrisë luftën kundër korrupsionit dhe të rrisë besimin e qytetarëve në funksionimin e shtetit”, tha Meta.
Ai u ndal edhe çështjen e reformës në drejtësi për të cilën shprehu bindjen se do të miratohet shumë shpejt nga Parlamenti.
“Aktualisht po punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, BE-në dhe SHBA-të, për të reformuar të gjithë sistemin tonë të drejtësisë. Në sajë të Komisionit të Venecias dhe asistencës teknike të misionit të BE-së, Euralius dhe Misionit të SHBA-ve, OPDAT, jemi në fazën përfundimtare të dakordësimit për draftin përfundimtar të së ashtuquajturës ‘Reforma e Drejtësisë’, që shpresojmë se do të miratohet në Parlament në javët e ardhshme, përmes një konsensusi të gjerë mes partive”, tha ai gjatë ndërhyrjes së tij në sesionin e dytë të konferencë.
Meta shoqërohej në këtë aktivitet nga kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, deputetja socialiste, Arta Dade. /Telegrafi/