Telegrafi

Meta: Referendumi i suksesshëm në Maqedoni, do të konfirmonte fitoren e forcave politike pro Evropës

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, në një intervistë për “Albanian Daily News” ka folur për temat e fundit në Ballkan, siç janë kufiri mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe referendumi më 30 shtator në Maqedoni për marrëveshjen me Greqinë.

Ilir Meta sa i përket çështjes për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, thotë se do të cënojë stabilitetin e rajonit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Dialogu Serbi-Kosovë, për të udhëhequr procesin e pranimit të realitetit, në emër të paqes e stabilitetit. Çdo debat që ndihmon në kuptimin dhe pranimin e këtij realiteti është i mirëpritur. Çdo devijim nga ky realitet, përveçse provokon emocione dhe retorika populiste nuk sjell dobi”, thotë Meta.

Ndërsa sa i përket referendumit në Maqedoni për marrëveshjen me Greqinë, presidenti i Shqipërisë thotë se integrimi i rajonit në BE dhe NATO është shumë i rëndësishëm dhe vital për të ardhmen.

“Maqedonia për momentin është në një moment të favorshëm dhe optimist pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë. Pa hezitime ne e kemi mbështetur dialogun mes Athinës dhe Shkupit, duke qenë të bindur kjo është rruga e duhur për të lëvizur përpara dhe për të gjetur zgjidhje për integrimin e Maqedonisë”, tha mes tjerash Meta.

Sipas tij, faktori politik shqiptar në Maqedoni ka pasur rol të pazëvendësueshëm në procesin e transformimit të brendshëm social dhe politik, si dhe për integrimet e Maqedonisë në organizatat euroatlantike. Ai thotë se referendumi i suksesshëm do të konfirmonte fitoren e gjitha forcave politike të cilat janë të orientuara drejt Evropës.

Meta gjithashtu ju bëri thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që të marrin pjesë në referendumin e 30 shtatorit dhe të votojnë “pro” marrëveshjes me Greqinë, e cila sipas tij, do të hap kapitull të ri të integrimit të Maqedonisë./Telegrafi/