Site icon Telegrafi

Meta reagon pasi Berisha u shpall “non-grata” në SHBA: “Fletërrufe” e porositur

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, reagoi pasi ish-kryeministri Sali Berisha u shpall person “i padëshiruar” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se ishte një “fletërrufe” që është porositur në një kohë kur nuk është mbyllur zyrtarisht procesi zgjedhor.

“Si President i Republikës së Shqipërisë ndjej përgjegjësinë e lartë të ndaj me Ju vlerësimin tim lidhur me “fletërrufenë” e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër z. Sali Berisha, Presidentit të parë demokratik të vendit. Kjo ‘fletërrufe’ jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht dhe kur institucionet, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të shprehen lidhur me ankesat e shumta për manipulimet dhe krimet zgjedhore të denoncuara gjerësisht, që kanë cenuar rëndë standardet perëndimore të një procesi elektoral plotësisht të lirë, të ndershëm dhe demokratik”, shkroi Meta.

Tutje, Meta ka shkruar se “duke bërë thirrje të gjithëve të zbatojnë me rigorozitet ligjin, si dhe të gjitha kërkesat e Kodit Zgjedhor lidhur me procesin e 25 prillit, pasi sipas Metës kjo është dhe mbetet çështja më e rëndësishme aktualisht në Shqipëri, ai publikoi edhe mesazhin e solidaritetit, që i ka dërguar Berishës dhe familjes së tij.

“Përshëndetjet e mia më të sinqerta dhe solidaritet për Ju, Lilin dhe Familjen tuaj pas këtij akti të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër. Ata që financuan për të shpallur hero të Reformës në Drejtësi Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi dhe nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre për respektin ndaj shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e Drejtësisë. Të fala!”, thuhet në mesazhin e Metës për Berishën.

Ndryshe, ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka paralajmëruar se do të padisë Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, pas vendimit për ta shpallur “non grata” nga SHBA.

Lexo po ashtu U shpall "non grata" nga SHBA, Berisha do të ngre padi ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken

Ish lideri i Partisë Demokratike, deputeti Sali Berisha një një konferencë për media ka thënë se nuk është i përfshirë në asnjë aferë korruptive. /Telegrafi/

Exit mobile version