Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në një transmetim në RTV Dukagjini dhe ABC News ka thënë se Shqipëria duhet të konsultohet më shumë në çështje ndërkombëtare me Kosovës, e shqiptarët në Maqedoni e Luginë të Preshevës.
Ai ka thënë se gabimet në punët e brendshme mund të rikuperohen më një kosto të caktuar por sipas tij gabimet në diplomaci kanë dëme afatgjata.
“Në këtë kontekst nuk guxojmë të bëjmë eksperimente me politikën e jashtme”.
Meta ka thënë se deri më tani Shqipëria në aspektin ndërkombëtarë është respektuar për një politikë të jashtme serioze dhe sipas tij nuk mund të bëhen gabime që të ndryshohet kjo gjë.
Duke folur për “Mini Shengenin ballkanik”, i pari i Shqipërisë ka thënë se kjo është ide e mirë deri në momentin kur nuk bëhet përjashtues ndaj ndonjë shteti siç mund të jetë Kosova.
Sa u përket kërkesës së dikurshme të Thaçit për t’i pajisur kosovarët me pasaporta të Shqipërisë, Meta ka thënë se një veprim i tillë do të penalizonte Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë dhe sipas tij as kosovarët nuk do të mund të gëzonin ato pasaporta për lëvizje të lirë.
I pyetur nëse ndjehet edhe president i shqiptarëve të Kosovës, Meta ka thënë se ai është vetëm president i Shqipërisë dhe se Kosova ka presidentin e saj.
“Nuk dua të bëhem pjesë e dabatit nëse ka apo jo një komb kosovar, por e di që ka një shtet të Kosovës pozita e të cilit duhet të forcohet”.
Ai ka thënë se kufijtë e Ballkanit nuk duhet të preken pasi sipas tij secili shtet e ka një pakicë diku.
Meta ka thënë se është për raporte të mira me Serbinë por sipas tij këto raporte në asnjë mënyrë nuk guxojnë të vënë në dyshim pozitën e Kosovës apo raportet vëllazërore ndër shqiptare.
“Në politikën e jashtë me së lehti është të bëjmë lajm dite, por krijimi i një mosbesimi do shumë kohë për t’u shëruar”. /Telegrafi/