Site icon Telegrafi

Meta priti në takim krerët e partive të djathta

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta priti sot me kërkesë të tyre kryetarët e partive politike të grupimit të qendrës së djathtë, kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kryetarin e Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, kryetarin e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka.

Presidenti Meta shprehu shqetësimin e thellë për krizën serioze kushtetuese, institucionale dhe të përfaqësimit ku ka hyrë vendi.

Kreu i shtetit theksoi se më herët kishte paralajmëruar domosdoshmërinë e vendosjes urgjente të dialogut për shmangien e përshkallëzimit të konfliktit.

Meta nënvizoi se ka bërë çdo përpjekje për të nxitur zbatimin e reformës në drejtësi brenda afateve dhe parimeve kushtetuese që do të garantonin kontrollin e balancën e sistemit në një shtet funksional të së drejtës.

Meta shprehu shqetësimin se mosregjistrimi i të gjitha partive opozitare të legjislaturës së fundit parlamentare rrezikon jo vetëm standardet e zgjedhjeve, por edhe pluralizmin politik në vend.

Presidenti theksoi se nuk është asnjëherë vonë për të reflektuar dhe për të gjetur zgjidhje që do të rivendosnin normalitetin kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit.

Meta nxiti dialogun dhe zërat e arsyeshëm, për dekurajimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës. /Telegrafi/

Exit mobile version