Site icon Telegrafi

Meta prezanton modelin me AI që mund të kontrollojë punën e modeleve të tjera me AI

Pronari i Facebook, Meta, ka njoftuar se po prezanton një seri modelesh të reja të AI nga divizioni i saj i kërkimit, duke përfshirë një “vlerësues” që mund të ofrojë një rrugë drejt përfshirjes më pak njerëzore në zhvillimin e AI.

Kjo teknikë përfshin zbërthimin e problemeve komplekse në hapa më të vegjël dhe duket se përmirëson saktësinë e përgjigjeve për problemet sfiduese në lëndë si shkenca, kodimi dhe matematika.

Bëhet e ditur se studiuesit e Metas përdorën tërësisht të dhëna të gjeneruara nga AI për të trajnuar modelin e vlerësuesit, duke eliminuar gjithashtu kontributin e njeriut në atë fazë, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

“Aftësia për të përdorur AI për të vlerësuar në mënyrë të besueshme AI ofron një paraqitje të shkurtër të një rruge të mundshme drejt ndërtimit të agjentëve autonom të Al që mund të mësojnë nga gabimet e tyre”, thanë dy studiuesit e Metas pas projektit.

Siç raportohet, shumë në fushën e AI parashikojnë agjentë të tillë si asistentë dixhitalë mjaft inteligjentë për të kryer një sërë detyrash pa ndërhyrjen njerëzore.

“Ne shpresojmë, ndërsa AI bëhet gjithnjë e më shumë super-njerëzore, se do të bëhet gjithnjë e më e mirë në kontrollimin e punës së saj, në mënyrë që në fakt të jetë më e mirë se njeriu mesatar”, tha Jason Weston, një nga studiuesit.

“Ideja për të qenë i vetë-mësuar dhe i aftë për të vetëvlerësuar është thelbësore për të arritur në këtë lloj niveli super-njerëzor të AI”, shtoi Weston.

Kompani të tjera, duke përfshirë Google dhe Anthropic, kanë publikuar gjithashtu kërkime mbi konceptin e RLAIF, ose përforcimi i të mësuarit nga AI Feedback.

Megjithatë, ndryshe nga Meta, këto kompani priren të mos i lëshojnë modelet e tyre për përdorim publik. /Telegrafi/

Exit mobile version