Telegrafi

Meta pret Hasanin me rastin e përfundimit të misionit diplomatik: Shqipëria dhe Kosova, gjithmonë në krah të njëra-tjetrës

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta priti sot në takim ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Nait Hasani me rastin e përfundimit të misionit të tij diplomatik.

Meta vlerësoi ecurinë dhe përpjekjet e deritanishme për fuqizimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat, por që meritojnë të jenë edhe më të shkëlqyera.

“Një bisedë e ngrohtë me Ambasadorin e Kosovës, Nait Hasani, me rastin e përfundimit të misionit të tij diplomatik. Vlerësuam ecurinë dhe përpjekjet e deritanishme për fuqizimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat, por që meritojnë të jenë edhe më të shkëlqyera”, tha Meta.

“Ndamë bindjen se ka ardhur koha të shohim të zbatuara dhe në veprim mbi 70 marrëveshjet e nënshkruara midis dy Qeverive, sepse mbi të gjitha këtë e kërkojnë qytetarët e vendeve tona”, u shpreh Meta.

“I përcolla falënderimet më të përzemërta dhe mirënjohjen e thellë për autoritetet shtetërore të Kosovës, që përherë na janë gjendur pranë, të parat, në përballjen me katastrofat natyrore që kanë goditur Shqipërinë, siç ishte dhe ndihma e vyer e dhënë së fundmi për tejkalimin e situatës së vështirë të krijuar nga zjarret. Shqipëria dhe Kosova, gjithmonë në krah të njëra-tjetrës”, theksoi Meta./ATSH