Site icon Telegrafi

Meta përshëndet lirimin e Ramush Haradinajt

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka përshëndetur lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, njëherësh kryetar i AAK-së, duke thënë se Ramush Haradinaj fitoi të drejtën e tij të mohuar padrejtësisht për t’u kthyer pranë familjes së tij të dashur, simpatizantëve dhe qytetarëve, të cilët e mbështetën pa kushte gjatë qëndrimit të tij të detyruar në Francë.

“Ramush Haradinaj fitoi lirinë, për të cilën kanë sakrifikuar ai, familja e tij dhe vetë Kosova. Gjithmonë kam besuar se drejtësia franceze do të vinte në vend një të drejtë të merituar për Ramushin dhe për Kosovën”, ka thënë Meta.

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë përshëndet verdiktin përfundimtar të gjykatës franceze në Colmar për lirimin e Haradinajt, ndonëse e quan të vonuar dhe në këtë mënyrë i jep fund një procesi të pakuptimtë juridikisht dhe të padobishëm politikisht.

Ramush Haradinaj është liruar sot nga gjykata e Colmarit në Francë, ku ishte arrestuar më 4 janar të këtij viti me urdhërarrest të Serbisë për kinse krime lufte në Kosovë.

Exit mobile version