Site icon Telegrafi

Meta përplaset me ambasadoren amerikane në Shqipëri

“Mos ndërhy në punët e brendshme dhe mos mbështet Ramën”

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe Ambasadorja Yuri Kim janë përfshirë në një debat në distancë mes tyre. Teksa ishte i ftuar në një emision televiziv, kreu i shtetit bëri të ditur se Ambasadorja Yuri Kim i kishte nisur një mesazh ku i kërkonte që në deklaratat e tija të mos përmendë më fjalën sfurk.

“Është e papranueshme për këdo që të kërcënojë se qytetarët do të marrin “sfurqet” në 25 prill ose nëse nuk u pëlqen rezultati i zgjedhjeve. Këto kërcënime meritojnë dënim. Ata që nxisin dhunë do të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e fjalëve dhe veprimeve të tyre. Ndal”, shkruan ambasadorja.

“Tani live sapo më shkruajti Ambasadorja Yuri Kim për të mos përmendur më sfurqet. I them Ambasadores amerikane live që të mos marrë më në mbrojtje Edi Ramën”, tha Presidenti Meta.

Gjithashtu ai i kërkoi ambasadores që të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Shqipërisë në mënyrë të njëanshme.

Presidenti nuk nguroi të tregojë gjithashtu se ambasadorja amerikane kishte ndërhyrë tek ai për të pranuar kandidaturën e Ardian Dvoranit si anëtarë i KED.

“Meqë jam transparent po ju them edhe një fakt, që Ambasadorja Amerikane më ka kërkuar mua si President, një ditë para mbledhjes së KED-së të pranoj unë Adrian Dvorani. Këtë ajo e kërkoi jo në emër të Amerikës, po në emër të Edi Ramës”, tha Meta.

Presidenti e ftoi ambasadoren që së bashku me kryeministrin Rama të ballafaqohet me të në një debat./Tv Klan

Exit mobile version