Site icon Telegrafi

Meta: Përpjekjet e Republikës Serbe të Bosnje dhe Hercegovinës rrezikojnë stabilitetin në rajon

Presidenti i Shqipërisë, ilir Meta ka reaguar lidhur me situatën e krijuar për përshkallëzimin e përpjekjeve të Republikës Serbe të Bosnje dhe Hercegovinës për të krijuar struktura paralele.

Ai shkruan në Facebook se një iniciativë e tillë për të filluar punën për krijimin e këtyre institucioneve dhe hartimin e një Kushtetute të re, shkojnë në drejtimin e kundërt të përpjekjeve 26-vjeçare të qytetarëve boshnjakë.

Ai shton se kështu rrezikohet seriozisht stabiliteti rajonal dhe vështirësohet jetesa e qytetarëve të të gjitha nacionaliteteve, si dhe dëmtohet rëndë shteti ligjor dhe perspektivën e integrimit evropian të vendit dhe rajonit.

“Shpreh shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e përpjekjeve të Republikës Serbe të Bosnje dhe Hercegovinës për t’u tërhequr nga institucionet shtetërore dhe për të krijuar institucionet paralele të ushtrisë, gjykatave dhe sistemit tatimor. Iniciativa e ligjvënësve të Parlamentit të Republikës Serbe për të filluar punën për krijimin e këtyre institucioneve dhe hartimin e një Kushtetute të re, shkojnë në drejtimin e kundërt të përpjekjeve 26-vjeçare të qytetarëve boshnjakë, liderëve lokalë dhe bashkësisë ndërkombëtare për të forcuar paqen dhe sigurinë në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Meta.

Postim i plotë:

Shpreh shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e përpjekjeve të Republikës Serbe të Bosnje dhe Hercegovinës për t’u tërhequr nga institucionet shtetërore dhe për të krijuar institucionet paralele të ushtrisë, gjykatave dhe sistemit tatimor.

Iniciativa e ligjvënësve të Parlamentit të Republikës Serbe për të filluar punën për krijimin e këtyre institucioneve dhe hartimin e një Kushtetute të re, shkojnë në drejtimin e kundërt të përpjekjeve 26-vjeçare të qytetarëve boshnjakë, liderëve lokalë dhe bashkësisë ndërkombëtare për të forcuar paqen dhe sigurinë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Duke minuar në këtë mënyrë Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, rrezikohet seriozisht stabiliteti rajonal dhe vështirësohet jetesa e qytetarëve të të gjitha nacionaliteteve, që aspirojnë paqe dhe begati. Gjithashtu, ato dëmtojnë rëndë shtetin ligjor dhe perspektivën e integrimit europian të vendit dhe rajonit.

Bëj thirrje për angazhimin në dialog të politikanëve të Republikës Serbe dhe të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre në mirëbesim reciprok, me qëllim avancimin e reformave të nevojshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve, avancimin e proceseve integruese të shtetit të tyre, çka do t’i shërbente edhe forcimit të paqes e sigurisë në mbarë rajonin e Ballkanit Perendimor. /Telegrafi/

Exit mobile version