Telegrafi

Meta pas aktakuzave kundër Thaçit e Veselit: Jam i bindur se do t’i kalojnë me dinjitet dhe qetësi

Foto: Arkiv

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë sot në një paraqitje para mediave se të gjithë drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë akuzuar i kanë fituar betejat me drejtësinë ndërkombëtare.

Meta tha se është momenti për urtësi dhe unitet.

“Është momenti për urtësi, unitet, jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri dhe kudo tjetër… Dhe natyrisht që nuk është momenti për të ushqyer mosbesim ndaj aleatëve tanë perëndimor, që kanë qenë dhe janë me popullin dhe shtetin e Kosovës…”, tha ai.

Presidenti i Shqipërisë tha se miratimi i Gjykatës Speciale ka qenë akt i sforcuar.

Ai tha se ka pasur komunikim me Thaçin dhe Veselin dhe është në komunikim të vazhdueshëm, ndërsa shprehur bindjen se e kanë qetësinë dhe përgjegjshmërinë për të përballuar këtë me shumë dinjitet.

I pyetur rreth kërkesës Behgjet Pacollit për një takim të të gjithë liderëve shqiptarë, Meta tha se është i hapur për takime, por sipas tij, Kosova është shtet i pavarur dhe momente e kriza i ka zgjidhur më mirë se Shqipëria.

“…Nuk është koha për protagonizma. Kosova është shtet i pavarur, ka institucionet e saj dhe ka treguar se në momente e kriza të vështira i zgjidh çështjet edhe më mirë se ne… kështu që unë kam qenë dhe jam i hapur për takime me udhëheqësit e Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve, por jam i bindur se në momente sfidash ata e rritin përgjegjësinë e tyre dhe fitojnë urtësinë ë [duhet dhe realizojnë unitetin dhe njëkohësisht bashkojnë vizionet për interes të përbashkët…”, tha ai. /Telegrafi/