Me rastin e 17 tetorit, Ditës Ndërkombëtare kundër Varfërisë, presidenti Ilir Meta vizitoi smbientet e shoqatës humanitare “Strehë dhe Shpresë” në Tiranë.
Nga aty, kreu i shtetit tha se sot është dita për të rritur e garantuar dinjitetin njerëzor për të gjithë.
“Lufta kundër varfërisë është një luftë për të garantuar të drejtat dhe dinjitetin e çdo qytetari, të çdo të moshuari, por edhe të çdo fëmije. Pa luftuar varfërinë nuk garantojmë dot drejtësinë sociale që meriton një shoqëri e standardeve evropiane, pa luftuar varfërinë nuk luftojmë dot një nga burimet kryesore të kriminalitetit dhe të sigurisë publike. Për këtë armët më efikase për të luftuar varfërinë janë një rritje ekonomike më e madhe. Një rritje ekonomike më gjithëpërfshirëse nga e cila të përfitojë e gjithë shoqëria dhe në radhë të parë ata që janë më në vështirësi dhe më të pamundur”, tha Meta.
Në fjalën e tij, presidenti shtoi se kërkohet zhvillimi i politikave sociale sidomos të punësimit dhe në drejtim të edukimit për fëmijët.
“Sot është vërtetë një ditë reflektimi për të gjithë shoqërinë sot për të menduar se sa shumë raste ndeshim dhe hasim të vetëvrasjeve apo të përpjekjeve për t’u vetëvrarë nga dëshpërimi për shkak të humbjes së besimit se mund të fitohet lufta me varfërinë. Sot është dita të kujtojmë se sa familje kanë hyrë në krizë, janë ndarë për shkak të varfërisë dhe të papunësisë apo problemeve të strehimit”, tha Meta. /Telegrafi/