Site icon Telegrafi

Meta: Nuk ka lindur ai që guxon burgun tim (Video)

Kreu i Kuvendit dhe LSI-së, Ilir Meta ka dhënë mbrëmjen e sotme një intervistë për emisionin “FAKT” të gazetarit Çim Peka në “SYRI.net”.

Gjatë kësaj interviste Meta ka folur për qeverinë, marrëdhëniet me Edi Ramën, reformën në drejtësisë, kërcënimet për burg që i janë bërë, si edhe për të ardhmen e tij politike.

Jeni shprehur para pak ditës në një intervistë në mos gabohem për Revistën “Mapo” se: “Kur bëri burg Fatos Nano nga Tirana, unë nga Skrapari se kam problem”?

Meta: Jo nuk ishte kaq e thjeshtë. Më duket se ka qenë në një kontekst të caktuar që ka vlerësuar atë situatë kur Fatos Nano në një burg të padrejtë politik, arriti të sensibilizonte një shoqëri të tërë, e në kushtet e një izolimi të thellë, të një partie mjaft të izoluar edhe ndërkombëtarisht si ish-pasuese të partisë së Enver Hoxhës, duke arritur atë rezultat spektakolar në referendumin për Kushtetutën në nëntor të vitit 1994.

Këto kohë, pak para miratimi të Reformës në Drejtësi kemi qenë aktiv në media dhe jeni i pari politikan që po flisni për burgje dhe po deklaroni se “nuk e kam frikë”. Z. Meta, pyetja është pak më konkrete. Njerëzit në Shqipëri nuk janë shumë të interesuar se si e përballojnë burgun politikanët, por pyetja është ndryshe. Jeni për burg apo ju duan në burg?

Meta: Unë mendoj se i gjithë problemi, apo mangësia e kësaj reforme është se është dominuar nga fjala burg. Që do të thotë se asgjë premtuese për një drejtësi ku të gjithë qytetarët janë të barabartë të gëzojnë një akses më të mirë, të ndiejnë më shumë siguri në të drejtat e tyre, që nga e drejta e pronës, të drejtat e jetës, dhe gjithë të drejtat e tjera, ka dalë në plan të dytë. Por për fatmirë, konsensusi i arritur në mesnatën e 21-22 korrikut, them mesnatën për arsye sepse nuk dua ta pranoj faktin se u shkel afati me një orë e gjysmë dhe zyrtarisht është data 22 korrik, pasi praktikisht konsensusi u arrit në ditën e shënjuar me kohë për të miratuar reformën, praktikisht në datën 21 korrik. Pra ky konsensus mendoj që ka krijuar një perspektivë shumë të mirë që të kemi një reformë për qytetarët dhe natyrisht për politikanët qytetar. Që do të thotë se në rast se politikanët kanë shkelur apo shkelin ligjin duhet të përgjigjen si gjithë qytetarët e tjerë.

A është shantazhuar kreu i LSI me burg, qoftë nga diplomat të huaj, qoftë nga Kryeministri i vendit. Mediat raportojnë çdo ditë për një gjë të tillë?

Meta: Nuk besoj, edhe një herë tjetër, se vërtet kanë lindur ata njerëz që mund të kenë një guxim të tillë. Po kështu nuk është ndonjë sekret që indirekt vazhdimisht është përmendur, apo është pëshpëritur se kjo reformë bëhet kundër këtij, kundër atij, dhe nuk është ndonjë sekret që është thënë që është bërë edhe kundër Metës. Ndërkohë që Metën këtu e kanë dhe do ta kenë gjithmonë qytetarët shqiptar pasi Meta nuk e ka në plan të iki të jetoj në ndonjë ishull apo as në ndonjë vend tjetër. Ka vendosur të jetë jetojë këtu në Shqipëri dhe të ndajë çdo gëzim dhe çdo vështirësi me qytetarët e këtij vendi.

Mediat pranë Kryeministrit Rama kanë raportuar se në një pritje në Pallatin e Brigadave nuk keni pranuar që të spostoheni për të biseduar anash me ambasadorin Lu. A e keni refuzuar ambasadorin amerikan për një bisedë private?

Meta: Nuk e di a janë mediat pranë Kryeministrit Rama apo janë mediat përballë Kryeministrit Rama sepse kjo histori e mediave është pak e ngatërruar këtu…

Në qoftë se Gazeta “Tema” e konsideroni mediat përballë Kryeministrit Rama. Ky është lajm i publikuar nga Gazeta “Tema”…

Meta: Ne kemi marrëdhënie mjaft korrekte me Ambasadorin Lu dhe marrëdhëniet e mija me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të jenë të shkëlqyera sepse janë marrëdhënie që u dedikohen interesave strategjike të dy vendeve

Nuk ka lindur akoma ai burrë që ju shantazhin. Gjithsesi në historinë tuaj politike, ish-presidenti Berisha, ose Partia e ish-presidentit Berisha, ka tentuar t’ju heq mandatin dhe të arrestoheni në fillimet tuaja politike…

Meta: Më është hequr imuniteti. Kam qenë i pari deputet opozitar, dhe një nga arsyet që kam edhe konsideratë për “doktorin” është se më ka trajnuar në një moshë fare të re për t’u përballur me këto presione. Dhe jo vetëm kaq. Mund t’ju them juve, për të herë të parë se kolegu im deputet, për shembull, Leontiev Çuçi në emër të udhëheqjes të asaj kohe më ka sugjeruar për të ikur në Greqi apo në Itali për tu marrë në mbrojtje nga PASOK-ku, Partia Socialiste Italiane, për të shmangur atë arrestimin apo pasojat që mund të vinin nga një çështje e tillë. Dhe unë nuk kam pranuar sepse më është dukur tërësisht absurde për t’ju shmangur një drejtësie qoftë edhe aq politike sa mund të ishte edhe drejtësia e doktorit. Kështu që këto janë gjëra të cilat mund të vlejnë me të cilin do tjetër, por jo me mua.

Drejtësia e “doktorit” të parë ishte politike, këtë e ka treguar edhe historia e pluralizmit shqiptar. A do të thotë kjo se fakti që po i referohemi burgut politik të Fatos Nanon, deri diku të pranuar edhe nga z. Berisha vetë si një burg politik, pavarësisht se sipas z. Berisha ishin bashkëpunëtorët e tij që i bënë dosjen, ka një tentative për burg politik ndaj Ilir Metës. Dhe pyetja është fare konkrete, a ka guxuar Edi Rama ndonjëherë t’jua thotë gjatë këtyre kohëve në sy se: “më kërkojnë kokën tënde dhe se unë po ju mbroj”?

Meta: Së pari një herë, çdo njeri në këtë botë duhet të përgjigjet për kokën e tij në raport me ligjin dhe në raport me çdo detyrim tjetër. Së dyti, nuk ka guxuar njeri të ma thotë këtë gjë dhe nuk besoj se do të ketë njeri në këtë botë të marri një guxim të tillë. Këtë e them për arsye sepse unë jam një njeri tepër i hapur, tepër transparent dhe njëkohësisht unë jam një njeri që e ka vrarë frikën që në dhjetor, dhe para dhjetorit të vitit 1990, përballë një regjimi i cili dihet se çfarë pasojash mund t’ju krijonte të gjithë atyre që mund t’i dilnin kundër dhe nuk mund ta pranojë kurrë që në vitin 2016 në Shqipëri të ketë përpjekje për të instaluar shantazhin si mënyrë dhe si formë qeverisje, aq më tepër si formë të një republike të re.

Por padyshim që nevoja për një reformë të thellë të sistemit të drejtësisë ka qenë e domosdoshme, ka qenë e hershme. Dhe unë që në fillim kam bërë thirrje për konsensus vetëm për një arsye, sepse kam qenë i bindur që Kushtetuta e vitit 1998, dhe jam i bindur, dhe nuk besoj se do të dalë dikush që të thotë që “Jo kjo që kemi sot është më e mirë”, ka qenë Kushtetuta më e mirë edhe për sa i takon parimi të kontrollit dhe të balancës, të ndarjes së pushteteve dhe sistemit të drejtësisë, por dihet që konflikti politik dhe ndërhyrjet e herëpashershme politike, jo vetëm nga një krahë, kanë bërë atë që të paralizohet si sistem që të prodhojë dhe të garantojë drejtësi. Dhe akoma më keq si një sistem që garanton kryesisht padrejtësi dhe mosbesim dhe pasiguri të qytetarëve. Në këto kushte, ajo që garanton që të kemi një sistem të pavarur të drejtësisë, mendoj që është konsensusi dhe një përgjegjshmëri për të lënë drejtësinë të jetë e pavarur. Natyrisht që këtu një garanci është edhe prania ndërkombëtare, pra Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Është e rëndësishme që edhe ata të jenë sa më profesional, sa më me integritet dhe sa më të paanshëm, pasi këto dy element, pra konsensusi dhe prania ndërkombëtare, do të mund të garantojnë që këto sforcime që u bënë duke krijuar këtë Kushtetutë të re të prodhojnë vetëm efekte pozitive dhe afatgjata.

Z. Meta është folur shumë për një vizitë tuajën në vilën qeveritare të Kryeministrit në Durrës. Fillimisht u fol për një darkë me të, më pas për një takim i shkurtër. Madje mediat raportuan se pavarësisht se Edi Rama në vitin 2013 e hëngri ngjalën tuaj tek gjiri i Lalzit, ju nuk e hëngrët ngjalën e z. Rama tek vila qeveritare në Durrës. Cila ka qenë përmbajtja e këtij takimi?

Meta: Ngjala asnjëherë nuk ka qenë pjesë e menysë së pari.

As në Lalëz?

Meta: Unë asnjëherë, sepse ngjalat janë kryesisht te Diella në Lezhë, dhe po të ishte te Diella do të kishte mendoj dhe shumë dëshmitarë nga Lezha. Përsa i takon takimit, ai është një takim normal. Ne takohemi, komunikojmë në mënyrë të vazhdueshme, nuk përbën ndonjë lajm.

Exit mobile version