Lëvizja Socialiste për Intergim ka ndërmarrë një nismë ligjore për të kontrolluar koncesionet që po jep qeveria Rama. Dhënia e disa shërbimeve me koncesione të dyshimta ka ngritur një fortunë akuzash ndaj qeverisë. Shumat e shpenzuara janë marramendëse, prej disa qindra miliona eurosh.
Koston politike për koncesionet e ka marrë kryeministri, i cili ka dalë publikisht disa herë në mbrojtje të tyre. LSI ka qëndruar mënjanë. Por shumat e mëdha duket se e kanë vënë në lëvizje aleatin bashkëqeverisës.
Veç nismës ligjore për ndryshimin e ligjit për Prokurimet Publike, që kërkon që kontratat koncesionare të kalojnë nga parlamenti, LSI po përdor edhe fuqinë e saj ekzekutive për t’u vënë fre parave publike që po menaxhon PS me anë të partneritetit publik privat, siç i quan kryeministri Rama koncesionet, me terminologjinë e re.
Gazeta Shqip zbulon se Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Ministrisë së Energjitikës të kthejë mbrapsht projektin për dhënie me koncesion të ndriçimit të rrugëve të bashkive Durrës dhe Tiranë një firme daneze.
Ministri i LSI, Ylli Manjani, e konsideron të paligjshëm projektvendimin për të zhvilluar tenderin. Projektvendimi i është dërguar atij për shqyrtim, më 1 prill, sipas procedurave. Manjani e ka vënë në dyshim projektin. Ai është shprehur se është e paqartë zanafilla e propozimeve të kompanisë daneze “HeSaLajt”A/S, që ka kryer një studim për sistemin e ndriçimit në Bashkinë Tiranë dhe Durrës.
“Ministria e Energjisë dhe Industrisë nuk duhet të jetë autoritet kontraktor për të ndërmarrë procedurat për dhënie koncesioni ndriçimin publik në territoret e bashkive, pasi ajo është autoritet politikëbërës dhe standardizues, nuk është një autoritet zbatues. Ministria e Energjisë nuk është pronar i çdo çelësi dritash”, thuhet në letrën e Manjanit.
Ministri thotë se projekti nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe del mbi ligjin.
Kjo është hera e parë që LSI vë “barriera” për zhvillimin e një tenderi nga qeveria. Deri tani ajo është treguar e kujdeshme për të mos e shprehur hapur pakënaqësinë ndaj mënyrës se si qeveria poi shpërndan paratë publike me anë të koncesioneve. Nisma ligjore ishte pjesë e kujdesit të LSI për të mos i treguar në publik dhëmbët aleatit qeverisës. Kundështia e Manjanit është një tjetër sinjal i fortë për Ramën që të përfshijë edhe aleatin në Partneritetin Publik Privat. /Lapsi.al/