Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, deklaroi sot se negociatat me Greqinë janë një proces solid nga pikëpamja kushtetuese dhe tekniko-ligjore.
“Besoj se tashmë kemi realizuar një bashkëpunim mjaft konstruktiv dhe të dobishëm për të pasur një proces solid nga pikëpamja kushtetuese, por edhe tekniko-ligjore për negociata sa më të suksesshme për një marrëveshje të drejtë me Greqinë”, ka thënë Meta për mediat.
Ndryshe, presidenti Meta i ka hapur dritën jeshile vazhdimit të negociatave në nivel ekspertësh për çështjen e kufirit detar me Greqinë.
Kreu i shtetit ka firmosur dje vendimin që autorizon ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati për vazhdimin e negociatave me palën greke.
Kjo lëvizje e presidentit zhbllokon bisedimet mes Tiranës dhe Athinës për një sërë çështjesh në diskutim, por edhe vizitën e kryeministrit grek Tsipras për pashkët ortodokse në Korçë, ku do të takojë Ramën.
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka pranuar ftesën e Edi Ramës për të kaluar Pashkët Ortodokse së bashku me familjet e tyre, por edhe në shoqërinë e ministrave Bushati dhe Kotzias, në datën 6-8 prill, ndërsa mbetet ende e pakonfirmuar data e vizitës zyrtare të tij në Tiranë, ku më e mundshme është përcaktimi i saj në 10-12 prill, ose diku rreth fundit të prillit, nëse do të vendoset për firmosje të të gjithë marrëveshjeve të dakoduara.
Një ditë më parë, përmes një interviste për gazetën greke “To Vima”, Ilir Meta tha se marrëveshja e re për kufirin detar nuk duhet të kalojë “vijën e kuqe”, që ai tha se është vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, kur argumentoi rrëzimin e marrëveshjes Berisha-Karamanlis të 2009.
Ilir Meta refuzoi të japë më herët autorizimin për plotfuqishmërinë e Bushatit duke kërkuar që të saktësohet objekti i qartë për autorizimin e plotfuqisë, si dhe të plotësohen emrat, funksionet dhe profesionet e atyre që do të jetë pjesë e grupit negociator. /Telegrafi/