Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur sot në një takim zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limaj, me të cilin ka biseduar për tema me interes për dy vendet.
Meta, përmes një postimi në Facebook, tha se “Kosova e ka merituar prej kohësh heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Europian, duke i përmbushur tërësisht të gjitha kriteret”.
Postimi i plotë i presidentit Meta:
“Takim i përzemërt me Zv/Kryeministrin e Kosovës, z.Fatmir Limaj, i cili më njohu me dakordësinë e arritur dje ndërmjet dy qeverive për zbatimin e një sërë marrëveshjesh që do ta forcojnë më tej bashkëpunimin midis vendeve tona.
Vlerësuam mbarëvajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore të zhvilluara së fundmi në Kosovë.
Kosova e ka merituar prej kohësh heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Europian, duke i përmbushur tërësisht të gjitha kriteret.
Forcimi i mëtejshëm i partneritetit të Kosovës me SHBA dhe BE, garanton integrimin euroatlantik të saj dhe konsolidon sigurinë në rajonin tonë”, ka shkruar Meta. /Telegrafi/