Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta po merr pjesë në Sesionin e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në fjalën e tij drejtuar delegatëve në OKB, Meta ka përmendur edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti i Shqipërisë ka thënë se pret që dialogu të përfundojë me një “marrëveshje të detyrueshme ligjore mbi normalizimin tërësor të marrëdhënieve midis dy shteteve”.
Meta ka inkurajuar shtetet anëtare të OKB-së që nuk e kanë njohur Kosovën, të bëjnë këtë dhe gjithashtu të mbështesin anëtarësimit të saj në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.
Pjesë nga fjalimi i presidentit Ilir Meta në OKB
Angazhimi i kombinuar i NATO-s dhe Bashkimit Europian përbën garantuesin më të mirë për të gjitha vendet dhe qytetarët e rajonit tonë.
Ky moment i vrullshëm pozitiv mund të ushqejë e nxisë gjithashtu një përparim të mëtejshëm në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Europian mes Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu ka hyrë në fazën e tij të fundit, dhe pritet që të përfundojë me një Marrëveshje të detyrueshme ligjore mbi normalizimin tërësor të marrëdhënieve midis dy shteteve.
Është me rëndësi jashtëzakonisht të madhe që kjo Marrëveshje e pritshme të mishërojë energji pozitive, duke nxitur e ushqyer vlerat europiane të bashkëjetesës dhe harmonisë ndëretnike.
Është shumë e rëndësishme që kjo Marrëveshje të shënojë një ndarje nga historia dhe e kaluara, si dhe të përmirësojë jetën e përditshme të njerëzve në të dyja shtetet.
Le të sjellim ndërmend se e kaluara historike e Ballkanit, në mënyrë famëkeqe, lidhej me ndryshime kufijsh, pastrimin etnik dhe shpërngulje të dhunshme masive.
Megjithatë, në dy dekadat e fundit, Ballkani ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm, falë mbështetjes dhe përfshirjes së Kombeve të Bashkuara si dhe investimeve serioze politike dhe ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.
Ne u bëjmë thirrje dhe mirëpresim çdo përpjekje të shteteve anëtare të OKB-së për vazhdimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës si dhe mbështetjen e mëtejshme të anëtarësimit të saj në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.
Bazuar në stabilitetin dhe zhvillimet pozitive në Kosovë, Shqipëria mbështet reduktimin e seancat që mbahen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi raportet e UNMIK-ut./Telegrafi/