Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka folur për ndihmën që ka dhënë populli dhe shteti i Kosovës për Shqipërinë pas tërmetit shkatërrues.
Meta, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në një transmetim në RTV Dukagjini dhe ABC News ka ripërsëritur edhe njëherë se ndihma e pjesëtarëve të FSK-së dhe Kosovës në përgjithësi ishte shumë e madhe dhe domethënëse.
“Mos të harrojmë se reagimi i Kosovës ka qenë i menjëhershëm. Patjetër që më pas ka pasur reagime edhe nga Greqia, Italia etj.”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Presidenti i Shqipërisë thotë se ai ka kërkuar nga Qeveria qysh në Korrik që të merren masa për të përballuar situata të tilla duke llogaritur edhe në vendet fqinje pasi sipas tij askush i vetëm nuk i përballon këto situata.
“Nuk janë vetëm tërmetet një rrezik i shtuar, por edhe përmbytjet paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve shqiptarë”.
Ai ka vlerësuar lartë edhe ndihmën e ekspertëve nga Greqia që një rast nga kjo tragjedi e menaxhuan me shumë sukses dhe me një teknologji shumë të sofistikuar duke shpëtuar një person që kishte rënë nga gjashtë kate.
Duke folur për klimën politike në Shqipëri, Meta ka thënë se nuk duhet pritur vetëm fatkeqësitë që të ketë koordinim mes institucioneve për t’u përballur me situatat që gjendet vendi./Telegrafi/