Telegrafi

Meta ndalon rrjetin propagandistik rus që kishte cak Evropën

Një rrjet i përhapur dezinformimi me origjinë nga Rusia u përpoq të përdorte qindra llogari të rreme në mediat sociale dhe disa faqe interneti lajmesh të rreme për të përhapur pikat e bisedimeve të Kremlinit për pushtimin e Ukrainës, zbuloi Meta të martën.

Kompania, e cila zotëron Facebook-un dhe Instagramin, tha se identifikoi dhe çaktivizoi operacionin përpara se të ishte në gjendje të fitonte një audiencë të madhe. Megjithatë, Facebook tha se ishte përpjekja më e madhe dhe më komplekse e propagandës ruse që ka gjetur që nga fillimi i pushtimit, transmeton Telegrafi.

Operacioni përfshiu më shumë se 60 faqe interneti të krijuara për të imituar faqet legjitime të lajmeve, duke përfshirë gazetën The Guardian në Mbretërinë e Bashkuar dhe Der Spiegel të Gjermanisë. Megjithatë, në vend të lajmeve aktuale të raportuara nga ato media, faqet e rreme përmbanin lidhje me propagandën ruse dhe dezinformatat rreth Ukrainës. Më shumë se 1,600 llogari të rreme në Facebook u përdorën për të përhapur propagandën tek audiencat në Gjermani, Itali, Francë, Mbretëri të Bashkuar dhe Ukrainë.

Gjetjet theksuan si premtimin e kompanive të mediave sociale për të kontrolluar faqet e tyre, ashtu edhe rrezikun që dezinformimi vazhdon të paraqesë.

“Video: Zbulohet inskenimi i rremë në Bucha!”, ishte një nga ato storje të rreme, që fajësonte Ukrainën për masakrën e qindra ukrainasve në një qytet të pushtuar nga rusët. /Telegrafi/