Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka deklaruar se duhet të bërë gjithçka për të mos humbur mundësinë që në qershor të kemi një vendim për çeljen e negociatave për anëtarësim midis Shqipërisë dhe BE-së, sepse do të ishte një humbje e madhe në kohë, në shpresë, në inkurajimin e të rinjve, të intelektualëve për të qëndruar këtu.
Meta ka thënë se kjo është përgjegjësi sikur e Qeverisë ashtu edhe e opozitës.
“Kur bëhet fjalë për çështje më të mëdha siç është reforma në drejtësi, e cila ka të bëjë me institucione tepër të rëndësishme kushtetuese dhe reformë që duhet të japë patjetër rezultate pozitive, kjo është detyrim i të dy palëve që të ulen dhe të zbatojnë me korrektësi ato ndryshime kushtetuese që janë miratuar me konsensus larg nxitjes së konfliktualitetit. Për t’u konfliktuar është gjëja më e thjeshtë, por detyra për çështje të tilla është për t’u marrë vesh, jo për t’u konfliktuar pa fund”, ka thënë ai në televizionin Korça.
Përndryshe, viti 2018 është përcaktuar si vit vendimtar për hapjen e negociatave me BE-në. /Telegrafi/