Për firmat e mbledhura nga socialistët për ta shkarkuar si President, Ilir Meta foli përmes zërit të zëdhënësit.
“Mocioni i “çunave të Shijakut” që kërkon të instalojë “Narko-Republikën” e bandave dhe oligarkëve do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Shqipëria e para!Shqipëria si gjithë Europa!”, ishte postimi në Facebook i zëdhënësit të Presidentit.
Edi Rama në takimin elektoral të Kolonjës nuk foli për shkarkimin e Ilir Metës, megjithatë një mesazh ja dërgoi paraprakisht pak ditë nga protesta e 9-të kombëtare opozitare.
“ Por kur thonë ‘97. E thonë të trembin njerëzit; të thonë njerëzit obobo… ’97. Nuk na ka ardhur ‘97, na ka ardhur Saliu, Luli, Monika dhe Iliri. Mjafton që Iliri t’i thotë Monikës ‘grua qetësohu!’, Saliu t’i thotë Lulit, ‘Lulzim futu brenda’ dhe s’ka më jo ’97, por as nga grupet e xhingijeve që më nxjerrin mua në çdo takim.”, tha Rama nga Kolonja.
Për herë të parë edhe Edi Rama pranoi se zgjedhjet pa kundërshtar nuk janë normale, një pohim i njëjtë me atë të Pandeli Majkos në Parlament, por fajin që në 30 qershor nuk do ketë garë, por votime Kryeministri ja faturoi opozitës jashtëparlamentare.
“ Ne nuk ndihemi mirë me këtë situatë, s’diskutohet që këto janë zgjedhjet e çuditshme. Se janë zgjedhje pa kundërshtarët tanë kryesor, megjithëse këtu në Kolonjë kemi kundërshtar ‘Bindjen Demorkatike’. Kjo nuk është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Shqipërisë kur Shqipëria pret çeljen e negociatave. Atyre fajin ua ka mendja e tyre”, u shpreh Kryeministri.
Me këto tone ironike vijoi fushata e Ramës edhe në Devoll e Korçë mbrëmjen e së shtunës.
“Sepse edhe dy vjet më parë, njësoj si sot, partnerët tanë ndërkombëtar, thanë në fund, ‘futuni në zgjedhje vetëm. Zgjedhjet janë legjitime. Me këta nuk ka asnjë mundësi se si të merremi vesh, por isha unë Romeua i asaj kohe që iu luta Xhuljetës, siç nuk do të kisha pasur do fuqi që t’i lutesha gjithë vajzave të bukura të Korçës në të gjithë jetën time dhe në fund fare e binda Xhulin”, ironizoi Kryeministri.
“Lufta” mes palëve tashmë është shpallur edhe publikisht, andaj edhe Kryeministri nuk i kurseu sulmet për liderin dhe ish-liderin demokrat, si dhe Presidentin dhe bashkëshorten e tij, Kryetare të LSI. /TCH/