Site icon Telegrafi

Meta: Mbështesim dialogun Kosovë-Serbi, opozita të jetë pjesë e dialogut

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, është shprehur se shteti shqiptar mbështet dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, ku ai tha se shpreson që sa më shpejt të ketë një marrëveshje në mes dy vendeve.

Këto komente presidenti Meta i ka bërë teksa ka marrë pjesë në forumin e medias “South East Europe Media Forum”. Po ashtu presidenti Meta i ka bërë thirrje partive opozitare që të bashkohen dhe të marrin pjesë në dialogun Kosovë-Serbi.

“Të them diçka më shumë sesa fakti që e mbështesim fuqimisht dialogun dhe shpresojmë që sa më shpejt të kemi një marrëveshje, e cila ndihmon të dyja vendet të normalizojnë tërësisht marrëdhëniet. Ndihmon Serbinë të eci më shpejt drejt anëtarësimit në BE, po edhe Kosovën të zë vendin që i takon si në Kombet e Bashkuara edhe në të gjitha institucionet e tjera. Mbi të gjitha të ndihmojë serbët dhe shqiptarët, si në Kosovë apo në Serbi, që të jetojnë shumë më normalisht larg çdo stresi, pasigurie apo qoftë instrumentalizimi. Kështu që, mendojmë se janë të gjithë arsyet që kjo të jetë një zgjidhje në interes të dy vendeve dhe të gjithë rajonit”, tha ai.

Ai ka pasur edhe një mesazh për partitë opozitare në Kosovë.

“Mesazhi im ka qenë dhe mbetet që edhe opozita në Kosovë të jetë pjesë e këtij dialogu, sepse kjo është me rëndësi për të ardhmen e vendit. Shpresojmë që kjo marrëveshje t’i shërbejë vërtet forcimit të stabilitetit në rajonin tonë në një plan afatgjatë. Nëse kjo do të arrihet dhe duhet të bëjmë të gjithë përpjekjet maksimale që të arrihet në kuptimin e inkurajimit të një rezultati pozitiv, të qëndrueshëm dhe të jetë një marrëveshje vërtet e zbatueshme sa më shpejt”, tha ai.

Sipas tij, pas marrëveshjes së Maqedonisë me Greqinë, një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të ndryshonte imazhin e të gjithë rajonit. Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ka folur edhe për një lajm që ka qarkulluar sot, se ish ministri i Jashtëm i Greqisë Niko Kotzias ka deklaruar se ushtria greke refuzon të njohë kufijtë me Shqipërinë. Meta ka thënë se nuk e di nëse është lajm i rrem apo i vërtet.

“Në rast se është i vërtet, natyrisht se çështja është serioze. Por, realisht nuk jam shumë i shqetësuar për arsye se edhe si komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura e di shumë mirë që Ushtria Shqiptare e di kufirin e saj dhe nuk ka asnjë pretendim ndaj asnjë vendi tjetër. Por, jam i shqetësuar se duhet të theksojmë gjuhën e bashkëjetesës në rajon”, tha ai.

Kurse, nga gazetarët është pyetur se a do të dekretojë si ministër Sandër Lleshaj, Metaj tha se ai është president për të respektuar kushtetutën dhe se nuk ka asnjë presion që mund ta bëjë të ndikohet për të cenuar kushtetutën. Ai tha se në ditët e ardhshme do të merrni përgjigje institucionale dhe korrekte, duke mos treguar se a do ta dekretojë, raporton KosovaPress.

Exit mobile version