Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i është kundërpërgjigjur reagimit të kryeministrit Edi Rama pasi vendosi të mos dekretonte emërimin e Gent Cakajt në postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Meta në profilin e tij në Facebook ka shkruar se integriteti i Kosovës është i padiskutueshëm.
“Pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë deri në sekondën e fundit si President i vendit tim”, shkruan Meta.
Kryeministri Rama ka reaguar pas vendimit të Presidentit Meta për të mos dekretuar Cakajn dhe e ka quajtur refuzimin e presidentit jo kushtetues dhe të turpshëm.
“Refuzimi i Presidentit për dekretimin e Ministrit të ri për Evropën e Punët e Jashtme, është jo vetëm antikushtetues, po edhe i turpshëm?Argumentat e dhëna nga zoti President janë të frikshme për nivelin skandaloz dhe turpëruese për institucionin. Ndjesë Kosovës për këtë turp”, ka shkruar Rama në Twitter. /Telegrafi/