Presidenti shqiptar, Ilir Meta, një interviste të dhënë për gazetën italiane “Il Messaggero”, ka folur mbi marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes dy vendeve.
I pyetur nëse ka frikë për destabilizim pas tensioneve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë, Meta ka thënë se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të konsolidojnë marrëdhëniet.
“Për paqen, jo vetëm në rajonin tonë, është themeltare që Beogradi dhe Prishtina të konsolidojnë marrëdhëniet dhe të shkojnë bashkë, akoma më shumë, në rrugën e integrimit evropian, por pa prekur çështjen e kufijve”, ka thënë Meta.
Në intervistën për gazetën italiane, të cilën e ka publikuar TCH, Meta ka folur edhe për takimin e së hënës në Vatikan me kreun e Kishës Katolike, Papa Françeskun, si dhe për vlerësimet nga BE-ja mbi progresin e bërë nga Shqipëria, duke shpresuar në një anëtarësim të shpejtë të vendit në BE. /Telegrafi/