Site icon Telegrafi

Meta kërkon transparencë nga qeveria për tenderët e testeve dhe maskave

Në një komunikim për mediat presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta njoftoi dekretimin e ndryshimeve në Kodin Penal për shkak të situatës së koronavirusit edhe pse u shpreh se ka rezerva për këtë vendim.

I pyetur në lidhje me akuzat e opozitës se qeveria ka blerë teste me çmim shumë herë më të lartë se tregu, Meta theksoi se në një situatë të tillë pandemie, thelbi është transparenca.

“Lidhur me shqetësime të opozitës, këto kufizime që imponohen për shkak të një pandemie duhet të shërbejmë për të rritur përgjegjshmërinë e menaxhimit të krizës. Mënyra më e mirë është rritja e transparencës, aq më tepër kemi të bëjmë me një vëmendje të shtuar të të gjithë qytetarëve, unë mund të apeloj për të rritur transperencën në këtë drejtim”, tha Meta.

Gjithashtu Presidenti ka folur edhe për situatën e fasonerive ku rastet e fundit me koronavirus janë ato të raportuara në qytetin Krujës. Meta deklaroi se nëse në fasoneri nuk garantohen kushtet sipas tij ato duhet të mbyllen.

“Sa i takon lajmeve shqetësuese nga Kruja apo Kurbini është me mjaft rëndësi që të respektohen distancat sociale dhe të ketë standarde të detyrueshme nga Institucionet e Shëndetit Publik për çdo aktivitet, çdo nënvlerësim do të ishte me kosto të jashtëzakonshme, do të ishte kosto e shtuar financiare, ekonomike dhe psikokologjike.

Duhet parandalimi i krijimit të vatrave të reja. Nëse nuk garantohet standardet për mbrojtjen e kushteve të shëndetit aktivitete të tilla nuk duhet të lejohen dhe punonjësit duhet të mbështeten nga qeveria”, u shpreh Meta./abcnews.al

Exit mobile version