Telegrafi

Meta ka edhe një porosi për Ramën: MPJ nuk mund të kthehet në autoshkollë

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka vazhduar të komentojë mosdekretimin e Gent Cakajt nga Kosova në postin e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, pas emërimit të kryeministrit Edi Rama.

Meta, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Sot, në momente të rëndësishme të sfidave tona rajonale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë ku ustai i madh kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë e të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Postimi i plotë i Metës:

“Sot, në momente të rëndësishme të sfidave tona rajonale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë, ku ustai i madh kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë e të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Partia Socialiste ka kapacitete të jashtëzakonshme në fushën e politikës së jashtme dhe Shqipëria ka shumë diplomatë të sprovuar, të cilët mund të vendosen në drejtimin e politikës sonë të jashtme, pa kaluar nga autoshkolla, e ndryshimit të kufijve në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Shqipëria do jetë gjithmonë faktor paqe e stabiliteti në rajon.
Shqipëria do ketë një lidership të besueshëm edhe në kryesimin e OSBE-së.
SHQIPËRIA E PARA ” (sic.), ka shkruar Meta. /Telegrafi/