E plotësuar: Presidenti Ilir Meta ka komentuar qëndrimin e bashkëshortes së tij për të mos qenë Zonjë e Parë, por e angazhuar politikisht. Në këtë linjë, edhe gjatë ceremonisë Monika Kryemadhi ishte si deputete.
“Mendoj se personi për të cilin flisni nuk vihet kollaj në rresht. Monika ka bërë zgjedhjen e saj publike që në momentin që unë jam zgjedhur president. Ajo është zgjedhur kryetare e LSI. Presidenca nuk do të mund të ndikohet nga askush, përfshirë edhe për qëllime të caktuara politike”, deklaroi Meta.
Sa i takon marrëdhënieve me Ramën, ai u përgjigj me batutë pyetjes së gazetarit në lidhje me kalimin e ceremonisë së betimit pa një shtrëngim duarsh mes tyre.
“E pashë dhe më duket se më pa…”, tha Meta duket qeshur.
Ai më pas tha se mbetet i hapur që me Ramën të ketë marrëdhënie bashkëpunuese.
“Që nga ora 18.00 unë kam lënë 25 vitet e mija parlamentare, politike dhe absolutisht në këtë detyrë do të jem bashkëpunues”, tha Meta.
—————————————————-
META: MË MIRË QYTETAR I NJË VENDI NORMAL, SE PRESIDENT I NJË VENDI KU OPOZITA NUK SHKON NË ZGJEDHJE
E plotësuar: Presidenti i porsazgjedhur i Shqipërisë, Ilir Meta, ka rrëfyer për atë si ndihet pasi është zgjedhur në krye të shtetit shqiptar.
“Detyra ime si president ka përgjegjësitë e mëdha kombëtare. Përpjekjet e mia do të jenë që të qëndroj mbi palët. Kam qenë gjithmonë që opozita të jetë pjesë aktive e politikës. Më mirë është që të jesh qytetar i një vendi normal, sesa president i një vendi ku opozita nuk shkon në zgjedhje”, deklaroi Meta.
—————————————————-
META IA DHA DORËN RAMËS DHE IA SHIHTE ATLETET: NUK ËSHTË HERA E PARË QË KRYEMINISTRI TËRHEQ VËMENDJEN!
Kreu i Shqipërisë, Ilir Meta, ka folur për marrëdhënien e tij me kryeministrin Edi Rama, marrëdhënie që prej pak muajsh ishte e tendosur dhe e ftohtë. Ai foli edhe për takimin e sotëm në Presidencë, ku ata i dhanë duart njëri-tjetrit.
Në intervistë në Top Channel, gazetari Sokol Balla tha se kjo është një marrëdhënie e ftohtë, duke e përkufizuar me shprehjen “Ju i dhatë dorën dhe shihnit atletet”. Meta deklaroi se nuk impresionohet nga atletet dhe se nuk është hera e parë.
“Nuk impresionohem nga atletet. Kanë një zgjedhje normale. Nuk është hera e parë që të tërheq vëmendjen. I kam dhënë dorën me shumë sinqeritet z. Rama. Na nderuan me praninë në këtë ceremoni”, tha Meta. “Mund t’ju them që bashkëpunimi im si kryeministër me presidentin Rexhep Meidani ka qenë i shkëlqyer. Jam bashkëpunues me të gjithë dhe padyshim që do jem bashkëpunues me kryeministrin Rama, me çdo qeveri, me çdo forcë politike të opozitës dhe çdo institucion sepse kjo është detyra kryesore e Presidentit, të punojë për bashkëpunim”. /Telegrafi/