Site icon Telegrafi

Meta hetohet për dhënien e shtetësisë me procedurë të përshpejtuar qytetarëve të Kosovës

Një pjesë e listës prej 382 personave që kanë përfituar nga dekretet e presidentit Meta janë familjarë të krerëve të politikës së Kosovës, të afërm të këngëtarëve nga Kosova dhe individë e familje të tjera nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Meta ka përdorur klauzolën e “interesit kombëtar”, duke ua dhënë shtetësinë për “merita të veçanta”, ndonëse shumica e përfituesve nuk plotësojnë kushtet e parashikuara në nenin 9 të ligjit për të marrë shtetësinë shqiptare.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, do të hetohet nga Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e tij edhe për dhënien e shtetësisë shqiptare me procedurë të përshpejtuar personave që janë kryesisht nga Kosova. Meta nuk është paraqitur të martën në Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij, duke e quajtur këtë të fundit jokushtetues, të palegjitimitet dhe jashtë afateve të funksioneve të Kuvendit.Presidenti i Shqipërisë, bëhet e ditur se ua ka dhënë shtetësinë shqiptare me procedurë të përshpejtuar 382 personave, ku 360 prej tyre janë shqiptarë të Kosovës dhe një pjesë e vogël shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Me këtë rast kreu i shtetit ka shmangur Ministrinë e Brendshme, dhe nuk ka kryer asnjë verifikim për elemente që mund të cenojnë sigurinë kombëtare, një kërkesë kjo e parashikuar në pikën 6 të nenit 9 të ligjit për shtetësinë.

Ministria e Brendshme në bazë të ligjit përgatit dosjen dhe verifikon të huajin që ka bërë kërkesën për shtetësinë. Të gjitha dekretet për dhënien e 382 shtetësive, Ilir Meta i ka bazuar në pikën 7 të nenit 9 të ligjit nr. 8389, datë 5.8.1998 për shtetësinë shqiptare. Pika 7 parashikon që: “Të huajt, që kanë mbushur moshën 18 vjeç, mund t’i jepet shtetësia shqiptare me natyralizim edhe në qoftë se nuk plotëson kushtet e këtij ligji, me përjashtim të pikës 6, në qoftë së Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar”.

90 % të emrave në këtë listë janë persona pa asnjë meritë të veçantë dhe nuk justifikojnë shmangien e procedurës së zakonshme. Një pjesë e listës janë turq, arabë, afrikanë, grekë, familjarë të krerëve të politikës së Kosovës, të afërm të këngëtarëve nga Kosova dhe familje e individë të tjerë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Këta persona nuk plotësojnë kushtet e parashikuara në nenin 9 të ligjit për të marrë shtetësinë shqiptare, por Meta ka përdorur klauzolën e “interesit kombëtar”, duke ua dhënë shtetësinë për “merita të veçanta”.

Meta në arsyetimin për mosparaqitje para komisionit hetues ka thënë se asnjë proces i kësaj natyre (hetimor) nuk mund të ushtrohet e të zhvillohet në këtë periudhë tranzitore të përfundimit të mandatit të Kuvendit aktual. Kreu i shtetit shqiptar e akuzon Kuvendin se po cenon balancën e pushteteve dhe po merr më shumë kompetenca seç duhet.

“Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur një Komision Hetimor, në shkelje flagrante të parimeve kushtetuese për një proces të rregullt ligjor dhe procedurave të detyrueshme për zbatim; Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur një Komision Hetimor, pa identifikuar asnjë shkelje të ndonjë dispozite kushtetuese, apo kryerjen e ndonjë krimi të rëndë; Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur një Komision Hetimor, në mënyrë fiktive, pa objekt; Kuvendi i Shqipërisë, për t`u rikthyer në veprimtari normale, dhe për të ndërprerë gjendjen e antikushtetutshmërisë dhe shkeljes së ligjit, duhet që pa vonesë të ndërmarrë këto vendime: Të shfuqizojë vendimin për miratimin e raportit dhe ngritjen e Komisionit Hetimor; Të ndërpresë menjëherë çdo lloj procedure hetimore parlamentare që po zhvillohet nga Komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur sipas përbërjes së vendimit nr. 45/2021, datë 7.5.2021 të Kuvendit të Shqipërisë; Të ndërpresë çdo veprimtari parlamentare, legjislative, politike, vendimmarrëse që cenon parimet e shtetit të së drejtës, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, dhe të mos ndërmarrë nisma legjislative apo vendime të rëndësishme që cenojnë interesat e shtetit dhe të shtetasve, në këtë periudhë në përfundim të mandatit të tij; Të ndërpresë çdo veprimtari që përbën tejkalim të funksioneve të Kuvendit dhe ndërhyrje në kompetencat e presidentit të Republikës, apo kufizim të rolit të tij, apo të veprimtarisë së organeve e institucioneve të tjera kushtetuese”, thekson kreu i shtetit, Ilir Meta.

Ai e konsideron procedurën e nisur për shkarkimin e tij një hakmarrje, por garanton se nuk do të frikësohet, korruptohet dhe nuk do të shkelë Kushtetutën.

Ndërkohë, sipas deputetëve, anëtarë të Komisionit Parlamentar për hetimin e presidentit, sjellja e presidentit është mosnjohje e Kuvendit dhe e Kushtetutës.

Kreut të shtetit iu la hapësirë deri të hënën të paraqitet në Komision, ndërkohë që Presidencës i është dërguar kërkesë zyrtare për zbardhjen e personave që u është dhënë shtetësia shqiptare

Exit mobile version